Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar sot pas vendimit të Gjykatës Themelorë në Prishtinë për pushimin e veprimeve ligjore ndaj Enver Hasanit, ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovë, dhe Arta Ramës, kryetare aktuale e kushtetueses.
Duke komentuar këtë vendim, Ismail Kurteshi nga kjo parti ka thënë se Gjykata Themelore bëri hapjen e dyerve për kriminalizimin total të gjyqësorit të Kosovës.
“Kur një Gjykatë Themelore, deklaron se vepra e falsifikimit nuk mund të ndiqet edhe në rastin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, sepse bie brenda fushveprimtarisë së një gjyqtari, do të thotë se tash e tutje gjyqtarët e Kosovës kanë të drejtë të bëjnë falsifikime”, theksoi Kurteshi.
“Nëse një vendim i tillë mbetet në fuqi, pasojat afatgjata do të jenë se në Kosovë gjyqësori në përgjithësi, veprën kriminale e shpallë si vepër brenda fushëveprimtarisë së një gjyqtari. Ky është rreziku më i madh që mund t’i ndodhë Kosovës”, ka thënë Kuretshi.
Ndaj Hasanit kanë pushuar hetimet për falsifikim të dokumentit zyrtar për shkak se ai ka pasur imunitet si Kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Hasani dyshohej për vepër penale të keqpërdorimit të pozitës spo autoritetit zyrtar dhe falsifikim të dokumentit zyrtar – nënshkrimin e gjyqtarit amerikan të Gjykatës Kushtetuese, Robert Carolan./Insajderi.