Një 15-vjeçare nga Rogova e Gjakovës dyshohet se është dhunuar vazhdimisht për disa muaj, ku për pasojë ka mbetur shtatzënë.
Në lidhje me këtë, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Hekuran Batusha, ka thënë për media se i dyshuari është ndaluar në kohëzgjatje për 24 orë nën dyshimin për veprën penale “Dhunimi”.
“Ju njoftojmë se për këtë rast, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ndaluar të dyshuarin në kohëzgjatje prej 24 orëve, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ’Dhunimi’, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ndaj tij brenda afatit ligjor do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Gjakovë”, ka thënë Batusha.
Gazeta Sinjali ka raportuar se rasti është zbuluar nga viktima, e cila bashkë me babanë e saj kanë vendosur ta denoncojnë rastin në Polici.
Sipas burimeve të këtij mediumi brenda Prokurorisë, viktima ka zbuluar detaje tronditëse duke rrëfyer se si prej muajit janar dhe në vazhdimësi, i dyshuari e kishte detyruar që pa dëshirën e saj të kryejnë marrëdhënie seksuale.
Si pasojë e dhunimit, e mitura ka mbetur shtatzënë dhe ka njoftuar familjen e saj, e më pas edhe Policinë, me ç’rast tashmë kanë nisur hetimet për zbardhjen e të gjitha rrethanave të rastit.
Mediumi raporton se i dyshuari është i moshës 17-vjeçare.