Universiteti i Prishtinës ”Hasan Prishtina” edhe zyrtarisht ka njoftuar për zgjedhjen e rektorit të ri.
Në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të mbajtur më 21 nëntor 2022, rektor është zgjedhur prof. dr. Qerim Qerimi, mësimdhënës në Fakultetin Juridik. Ai sot ka nisur detyrën e të parit të Universitetit të Prishtinës.
“Prof. dr. Qerim Qerimi i është bashkuar Fakultetit Juridik të UP-së, fillimisht si asistent i ri, në vitin 2006 dhe aktualisht mban titullin e profesorit të rregullt. Gjatë karrierës së tij, përveç mësimdhënies, ai ka shërbyer edhe në pozita menaxheriale në kuadër të universitetit, si prodekan për çështje akademike në Fakultetin Juridik dhe u.d. prorektor për mësim dhe çështje të studentëve i UP-së”, thuhet në njoftim.
Më tej në njoftim thuhet se, në planin e tij për UP-në, prof. dr. Qerim Qerimi ka propozuar dhjetë fusha të përqendrimit parësor, duke nisur fillimisht me ndryshimin dhe plotësimin e Statutit të UP-së dhe akteve të tjera zbatuese, për të tejkaluar sfidat e ndryshme, me të cilat UP-ja po përballet gjatë ndryshimit të kohërave. Po ashtu, në planin e tij janë edhe zgjerimi dhe fuqizimi i kapaciteteve të stafit akademik dhe administrativ, zgjerimi i përpjekjeve dhe investimeve shkencore, zgjerimi i rolit ndërkombëtar të UP-së, konsolidimi dhe forcimi i rregullave dhe mekanizmave në lidhje me integritetin akademik, sjelljen personale dhe profesionale, si dhe çështjet që kanë të bëjnë me diskriminimin dhe ngacmimin, sigurimin e përvojës dhe lehtësirave të tjera për studentë, mbështetjen e kapaciteteve shkencore, e të tjera fusha veprimi.
Qerim Qerimi do të jetë në krye të UP-së deri më 30 shtator 2024.