155 studentëve të kolegjit privat “Akademisë Evolucion” nuk u njihen diplomat - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    155 studentëve të kolegjit privat “Akademisë Evolucion” nuk u njihen diplomat

    Insajderi
    09 June 2024 - 15:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kolegji privat “Akademia Evolucion”, gjatë dy vjetëve akademikë, ka regjistruar me qindra studentë pa qenë e pajisur me licencë të punës. Tani diplomat e saj, të cilat studentëve u kushtuan rreth 6 mijë euro, nuk njihen nga Ministria e Arsimit.

    Gjatë dy vjetëve akademikë, kolegji privat “Akademia Evolucion”, regjistroi 418 studentë, pa qenë e pajisur me licencë pune. 

    Prej këtij numri, deri më tani janë diplomuar 155.

    Por atyre, sikurse dhe të gjithë të regjistruarve të tjerë gjatë viteve akademike 2016-2017 e 2017-2018, diplomat, për të cilat paguajnë nga rreth 6 mijë euro, nuk do t’u njihen. Atyre që bënë kërkesë për nostrifikim, këtë ua konfirmoi Ministria e Arsimit.

    “Divizioni për Njohje dhe Informim Akademik NARIC, ju njofton se BPrAL Kolegji ‘Akademia Evolucion’, në gjeneratën 2017/2018, kur ju keni filluar studimet në Kolegjin Akademia Evolucion nuk ka qenë i licencuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Duke u bazuar në ligjin e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës Nr.04/L-O037, neni 11, pika 3 dhe 7, të gjithë bartësit privat duhet të jenë të licencuar nga Ministria dhe nëse Ministria nuk i jep licencë një bartësi privat, bartësi nuk mund të pranojë studentë”, thuhet në një dokument të Ministrisë. 

    Licenca e punës për institucione arsimore private lëshohet nga Ministria e Arsimit, pas marrjes së akreditimit nga Agjencia e Kosovës për Akreditim. 

    Për ta siguruar licencën, institucioni duhet t’i plotësojë 25 kushte, përfshirë posedimin e listës së kuadrit mësimor, administrativ dhe dëshmisë për pronësi të objektit. 

    Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Akreditimit, “Akademisë Evolution” akreditimi nuk i ka munguar, porse në këtë kolegj pranuan që nuk i janë nënshtruar procesit të licencimit. 

    “Në kërkesën tonë për vazhdim të licencës, në muajt e vitit 2016, na është komunikuar nga zyra e arsimit të lartë privat në MASHT, se licenca vazhdohet automatikisht, duke u bazuar në akreditimin institucional dhe të programeve të marra po atë vit (Meqenëse një pjesë e procesit të akreditimit institucional është e njëjtë me procesin e licencimit)”, thuhet në një përgjigje të kolegjit.

    Ligji për Arsimin e Lartë dhe Udhëzimi Administrativ për licencimin e kolegjeve private, nuk e parashohin opsionin që licenca e një institucioni të vazhdohet me automatizëm, pa iu nënshtruar procesit. 

    Të pyetur lidhur me çështjen që prek me qindra student dhe ish-studentë, në Ministrinë e Arsimit nuk dhanë përgjigje. Për mosgatishmërinë për t’u përgjigjur, KOHA ka dërguar ankesë edhe në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

    Shkaku i vazhdimit të veprimtarisë pa licencë, Inspektorati i Arsimit më 2019 e pati paditur “Akademinë Evolucion” në Departamentin për kundërvajtje në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Sipas aktgjykimit, rasti u pezullua me arsyetimin se institucioni nuk ka përgjegjësi të kundërvajtjes. 

    Në Inspektoratin e Arsimit thanë se rasti ende po trajtohet në gjykatë. E në Gjykatë nuk janë përgjigjur në pyetjet për ta konfirmuar këtë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark