Tashmë janë bërë 16 orë që kur 35 vjeçarja, Hamide Magashi u vra pamëshirshëm nga ish-burri i saj para Klinikës së Gjinekologjisë, në QKUK. Policia e Kosovës ende nuk ka arritur të arrestoi të dyshuarin, Sokol Halilin.
Kështu ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, Policia e Kosova nga rajoni i Prishtinës.
‘Ende nuk ka asgjë lidhur me rastin’, thuhet në përgjigjen e tyre.
Kosova të mërkurën u trondit nga një tjetër krim makabër.
Një grua shtatzënë, që priste ta sillte në jetë foshnjën e saj, u vra mizorisht nga ish-burri, para spitalit të Gjinekologjisë së QKUK-së, aty,
Si ndodhi rasti makabër
35 vjeçarja që kishte qenë e shtrirë në klinik ishte në muajin e nëntë të shtatzënisë.
Ajo iu kishte thënë infermierëve se po dilte deri te kioskat në oborrin e QKUK’së për të blerë gjëra ushqimore.
Pasi kishte kryer blerjet, ajo ishte ulur për të pushuar pak tek ulëset në oborrin e Gjinekologjisë.
Aty ishte shfaqur ish-bashkëshorti i saj, i cili e vrau me armë zjarri.
Lajmin për Gazetën Insajderi e ka konfirmuar Policia e Kosovës. Në përgjigjen e tyre nuk bëhet e ditur nëse vrasësi është arrestuar.
“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, thuhet ne njoftimin e PK-së.