18 milionë për Salillarin – Si iu bllokua Ramës së LDK-së projekti i madh nga Çeku i VV-së - Insajderi
×
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    18 milionë për Salillarin – Si iu bllokua Ramës së LDK-së projekti i madh nga Çeku i VV-së

    Insajderi
    30 April 2025 - 11:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Bllokadë” është fjala që përshkruan më së miri situatën aktuale në qeverisjen qendrore dhe atë lokale. Por në këtë rast, do të ndalemi tek niveli lokal. Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë përfshirë në një përplasje të vazhdueshme tash e disa muaj, lidhur me projektin për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” në kryeqytet. Komuna po insiston në realizimin e transformimit urban, ndërsa Ministria po deklaron se integriteti i monumenteve përreth rrezikohet nga ndërtimi i planifikuar i strukturave të reja.

    Tensionet kanë arritur kulmin të martën, kur vetë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u përball me zyrtarët e Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore.

    Për të tretën herë me radhë, punimet u ndaluan nga ndërhyrja e policisë.

    Por pse u arrit deri në këtë përplasje?

    Insajderi ju sjell detajet prapa bllokadës që po pengon një projekt 18-milionësh, dhe përplasjes ‘politike’ mes Ramës së LDK-së dhe Ministrit Çeku nga VV-ja.

    Më 31 janar, Komuna e Prishtinës kishte njoftuar për dhënien e tenderit për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” në kryeqytet.

    Njoftimi për dhënie të tenderit ishte publikuar të premten, më 30 janar 2025, ndërsa vlera e këtij tenderi ishte parashikuar të ishte 18 milionë e 162 mijë e 896 euro.

    Sipas njoftimit të publikuar në platformën e-Prokurimi, për ndërtimin e këtij sheshi ishte rekomanduar grupi i operatorëve ekonomikë “Salillari; Gjini Construction Sh.P.K; Hidroterm Sh.P.K”.

    Dy muaj më parë, i pari i Prishtinës, i entuziazmuar, kishte njoftuar se kishin nisur punimet për një nga projektet më të mëdha dhe më interesante për kryeqytetin – transformimin e sheshit “Xhorxh Bush”.

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte deklaruar se ky projekt, i cili prekte disa zona kyçe të qytetit, përfshinte edhe sheshin “Zahir Pajaziti” dhe një pjesë të Bibliotekës Kombëtare, duke synuar të sillte një ndryshim të dukshëm në infrastrukturën dhe pamjen e qytetit.

    “Po fillojmë punimet në një ndër projektet më të mëdha dhe më interesante për kryeqytetin, transformimin e sheshit ‘Xhorxh Bush’. Tashmë kemi projektin dhe po e bëjmë realitet atë që kemi premtuar, për të transformuar tërë qendrën e kryeqytetit dhe për të krijuar hapësira më moderne dhe më të qasshme për qytetarët,” deklaronte Rama në atë kohë.

    Ai kishte shpjeguar se punimet do të zhvilloheshin në tri faza, në mënyrë që qytetarët të mos ndiheshin të bllokuar gjatë kohës së realizimit të projektit.

    Projekti ishte parashikuar të përfundonte pas 240 ditësh pune dhe të kishte një kosto prej 18.1 milionë eurosh.

    Rama kishte sqaruar se materiali kryesor që do të përdorej ishte guri i trashë 80 mm, që do të ndihmonte gjithashtu në menaxhimin e ujërave të reshura.

    Por jo gjithçka shkoi siç ishte planifikuar…

    Tri herë ia ndaloi Hajrulla Çeku i Vetëvendosjes punën Përparim Ramës së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Të martën, më 29 prill, për herë të tretë me radhë, ishin ndalur punimet në sheshin “Xhorxh Bush”.

    Sipas tyre, Komuna e Prishtinës ende nuk e kishte siguruar lejen nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

    MKRS: Komuna s’mori leje për punimet në zonën ku ka asete kulturore

    Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka akuzuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, për dezinformim lidhur me ndalimin e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”.

    Sipas MKRS-së, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë kishte raportuar më 28 prill se punimet nga Komuna ishin realizuar jashtë kufirit të zonës mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës, dhe për këtë arsye nuk kishte pasur ndalim të punimeve nga inspektorët e trashëgimisë kulturore.

    “Ky konfirmim, se nuk po punohej brenda kufirit me regjim ligjor të mbrojtjes, ishte dhënë para kamerave nga nënkryetari i Komunës, së bashku me zotimin se edhe në të ardhmen nuk do të punohej brenda kufijve ku Komunës ende nuk i ishte dhënë leje – një pasojë kjo e refuzimit për të zbatuar rekomandimet, dhe jo e ndonjë shkaku tjetër”, thuhej në reagimin e Ministrisë.

    Tutje, MKRS-ja kishte bërë të ditur se më 29 prill, QRTK-ja së bashku me ITK-në, për të satën herë, kishin konstatuar se zotimi i një dite më parë i Komunës për mosndërhyrje pa leje kishte zgjatur më pak se 24 orë. Komuna, sipas tyre, kishte tejkaluar sërish kufijtë e autorizimit ligjor duke ndërhyrë në zonën ku kërkohej leje që ende nuk e kishte siguruar, prandaj atë ditë kishte pasur ndalim zyrtar të punimeve.

    “Kryetari i Komunës duhet ta kuptojë se nuk bëhet fjalë thjesht për dy anë të asfaltit, por për dy anë ku në njërën, të kap ligji – dhe aty ne, si zbatues të ligjit, do të veprojmë. Ligji është në pyetje dhe jo asfalti”, theksonte MKRS-ja në reagimin e saj.

    Ministria kishte kërkuar nga organet e drejtësisë që të vepronin urgjentisht për të sjellë para përgjegjësisë çdo person që kishte shkelur ligjin – pavarësisht institucionit që përfaqësonte. “Duhet të ndalet ky spektakël i dëmshëm për vlerat e ligjshmërisë, të cilin qytetarët dhe sidomos kryeqytetasit, nuk e meritojnë”, thuhej më tej.

    MKRS-ja kishte sqaruar se institucionet e trashëgimisë kulturore do të vazhdonin të kryenin detyrën e tyre zyrtare. “Një nga këto detyra është ndalimi i punimeve pa leje të miratuar nga institucioni kompetent sipas ligjit – pa dallim nëse pala tjetër është biznes, OJQ, person fizik, bashkësi fetare apo edhe institucion publik. Para ligjit, të gjithë kanë të drejta dhe detyra të barabarta. Pajisuni me leje dhe punoni – ndoshta edhe ju ndihmojmë. Por pa leje, mos filloni. Përsëri do të veprojmë”, thuhet në reagimin e Ministrisë.

    “Qeveria në ikje po e përdor policinë për të na ndaluar”

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është deklaruar të martën pas ndërprerjes së punimeve në sheshin “Xhorxh Bush” nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, me asistim të Policisë së Kosovës.

    Në një reagim të drejtpërdrejtë, Rama akuzoi qeverinë se po ushtron presion politik dhe institucional për ta bllokuar projektin e transformimit urban në kryeqytet.

    “Të dashur qytetarë të kryeqytetit, ja çfarë po ndodh në qendër të Kryeqytetit, në sheshin ‘Xhorxh Bush’, me presion nga ministri i Punëve të Brendshme, me presion nga ministri i Kulturës, i detyrojnë dhe i shfrytëzojnë policinë që të na i ndërprejnë punimet”, tha Rama.

    Ai tha se ndërprerja e punimeve është bërë pa ndonjë dokument ligjor dhe se sipas tij, arsyetimi për mbrojtjen e një pjese të asfaltit është absurd.

    “Punimet, thonë ata, gjysma këtej qenka e mbrojtur dhe gjysma atje jo. Se ky asfalt qenka i mbrojtur. Kjo qeveri në ikje po i shfrytëzon të gjitha instancat në mënyrë joligjore”, shtoi kryetari i Prishtinës.

    Ai njoftoi gjithashtu se Komuna do të vazhdojë me punimet dhe paralajmëroi kallëzime penale ndaj të gjithë atyre që, sipas tij, po pengojnë zhvillimin e kryeqytetit.

    Ramës në mbrojtje i ka dalë edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili përmes një reagimi publik në Facebook ka përkrahur rinisjen e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”, duke e cilësuar këtë si një përgjigje dinjitoze ndaj “bllokuesve të punës”.

    Ai deklaronte se punimet nuk do të ndalen.

    “Bllokues në shtet. Bllokues në punë! Sot, Komuna e Prishtinës, i dha përgjigje dinjitoze bllokuesve të punës. Vazhdoj me punë! Një Komision, diku në një Ministri, me një a dy inspektorë partiak e idhnakë, vendosë të bllokojë një Kryeqytet të tanë, me arsyet e mbrojtjes së trashëgimisë. Trashëgimi ky asfallt gërmadhë?! Punimet vazhduan! Nuk do të ndalen! Ai që ka mend punën nuk ndalet. Prishtina, nuk ndalet!”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

    Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për mbështetjen që ky i fundit i dha kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, pas ndërprerjes së punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”.

    Në një deklaratë publike, Çeku tha se Abdixhiku e mbron Ramën sa herë që ai, sipas tij, dështon në punën që i takon si udhëheqës i komunës.

    “Sa herë që Përparim Rama e bën fort bërllok punën, Lumir Abdixhiku del në mbrojtje të tij. Nuk ka asnjë standard, as për ligj, as për procedurë, as për profesionalizëm, veç për politikë ditore”, shprehej Çeku.

    Derisa zgjidhja të vijë në formë të koordinuar ligjore dhe institucionale, projekti 18-milionësh për sheshin “Xhorxh Bush” mbetet pezull – midis akuzave, ndërprerjeve dhe paralajmërimeve për kallëzime penale.

    /Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark