18 zyrtarë të ministrisë së Ekonomisë kanë marrë paga nga shteti, ndonëse nuk kanë shkuar asnjëherë në punë gjatë vitit të fundit.
Kështu ka zbuluar raporti i Auditorit të Përgjithshëm, i cili vë në pah këtë paregullësi në dikasterin e udhëhequr nga ministrja Artane Rizvanolli.
“Kjo dukuri po vazhdon të jetë prezente ndër vite edhe pse në vazhdimësi po raportohet në raportet tona të auditimit. Ministria ende nuk ka arritur të ndërmerr masa konkrete në sistemimin, angazhimin dhe monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve”, thotë raporti, shkruan Gazeta Insajderi.
Sipas dokumenti zyrtar, punëtorët janë të komunitetit serb, dhe të njëjtit kanë marrë hiç më pak se 93 mijë e 435 euro për gjatë vitit që është lënë pas, pavarësisht se nuk janë paraqitur në punë.
“Pagesat e punonjësve në mungesë të dëshmive për vijueshmërinë në punë dhe në mungesë të angazhimit për kryerjen e detyrave zyrtare, konsiderohen si pagesa të parregullta dhe dëmtojnë buxhetin e ministrisë”, thuhet në gjetjen e Auditorit, shkruan Gazeta Insajderi.
Punonjësit serbë janë angazhuar në ministrinë e Ekonomisë bazuar në vendimin nr. 06/39 të datës 22.07.2015, ku Qeveria e Kosovës kishte aprovuar konkluzionet e dakorduara të Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për realizimin e marrëveshjes së ashtuquajtur “Mbrojta Civile”.
Raporti i Auditorit rekomandon ministren Artane Rizvanolli që të ndërmerr të gjitha veprimet për të siguruar kushte pune dhe vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm siç parashihet me aktet ligjore./Gazeta Insajderi/
Lexo edhe: