20 kg kokainë, në Itali arrestohet politikani shqiptar - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    20 kg kokainë, në Itali arrestohet politikani shqiptar

    Insajderi
    12 June 2022 - 11:47
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku është arrestuar nga policia italiane më 27 maj të 2022 me 20 kg kokainë, e cila nëse do të hidhej në treg do të kapte vlerën e një milion euro. 

    Kajmaku është arrestuar në zonën e San Benedeto del Tronto.

    Kajmaku dhe grupi të cilit i shërbente ishin nën vëzhgim të rreptë 24 orë nga ana e policisë. Për të ndjekur hap pas hapi çdo lëvizje, policia italiane ka montuar kamera në disa akse banesa dhe lagje ku kryheshin bisedat dhe takimet që kishin tematikë aktivitetin e paligjshëm të lëndëve narkotike në shtetin fqinj dhe Europë.

    Autoritetet italiane kanë kërkuar gjithashtu informacione te autoritetet shqiptare në lidhje me këtë shtetas, i cili ka qenë ndër personat më të rinj që i është bashkuar grupit.

    E shkuara e Kajmakut: Kajmaku u zgjodh në krye të Bashkisë Vorë në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, por u denoncua nga PD se kishte fshehur dënimin në Greqi për falsifikim parash dhe se kjo nuk ishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit. Fillimisht kjo u mohua prej tij, por më pas u vërtetua nga prokuroria e Tiranës përmes një letërporosie dërguar autoriteteve greke se ai ishte në kërkim në 2003 për falsifikim të kartëmonedhave dhe nuk ishte arrestuar pasi kishte ikur në Shqipëri.

    Nga përgjigjja që Interpol Greqia dhe Interpol Tirana i kanë dërguar Prokurorisë së Përgjithshme, është vërtetuar se gjurmët e gishtërinjve të Agim Kajmakut janë të njëjta me Jorgo Toton, i cili është arrestuar në Greqi dhe këtë arrestim nuk e ka deklaruar kur ai kandidoi për zgjedhjet e 30 qershorit nën siglën e PS-së. Pasi u provuan akuzat, KQZ i hoqi mandatin Kajmakut.

    Agim Kajmaku u arrestua në korrik 2020, disa muaj pasi ishte shpallur në kërkim, në një spital privat në Tiranë ku po trajtohej për probleme shëndetësore.

    Por dy ditë pas ndalimit, Kajmaku u la i lirë më 8 korrik 2020, kur Gjykata e Apelit ndryshoi masën e shkallës së parë nga ‘arrest me burg’ në ‘detyrim paraqitje’.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark