"200 vaksina të gripit nuk u raportuan" - Inspektorati e gjobit QKMF'në e Vushtrrisë| Komuna: Situatë e politizuar, asnjë vaksinë nuk ka humbur - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    “200 vaksina të gripit nuk u raportuan” – Inspektorati e gjobit QKMF’në e Vushtrrisë| Komuna: Situatë e politizuar, asnjë vaksinë nuk ka humbur

    Insajderi
    28 August 2025 - 14:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Inspektorati Shëndetësor ka gjobitur QKMF në Vushtrri me 5 mijë euro për mospërputhje prej 200 dozash të vaksinës së gripit. Gjobë ka marrë edhe drejtoresha e institucionit prej 500 eurosh. Në vendimin e Inspektoratit thuhet se 200 vaksina nuk figurojnë të raportuara. Ndërkohë nga Komuna e Vushtrrisë kanë mohuar ‘zhdukjen’ e tyre, duke e quajtur vendimin politik dhe theksuan se problemi lidhet me sistemin elektronik të Ministrisë së Shëndetësisë. Insajderi sjell detaje.

    Gazeta Insajderi

    Inspektorati Shëndetësor i Kosovës, ka zhvilluar një inspektim me datën 9 qershor dhe 7 korrik, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Vushtrri “Safet Idrizi”.

    Pas inspektimit, Inspektorati Shëndetësor në vendimin e marrë me 4 gusht thuhet se ka zbuluar mospërputhje në raportimin e vaksinave të gripit në QKMF’në “Safet Idrizi” në Vushtrri, duke gjobitur institucionin me 5 mijë euro dhe drejtoreshën e QKMF-së, Dr. Naile Gjaka, me 500 euro.

    Sipas raportit të inspektimit të datave 09.06.2025 dhe 07.07.2025, QKMF-ja ishte furnizuar me 2500 doza të vaksinës së gripit, por siç thuhet në vendim nga krahasimi i të dhënave rezulton se 200 doza nuk figurojnë askund.

    Inspektorati thekson se gjatë verifikimit nuk është ofruar dëshmi në kohë reale për saktësinë e raportimit të vaksinave në Sistemin e Menaxhimit të Stokut Farmaceutik (SMSF). Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kishte raportuar shifra të tjera, duke zbuluar edhe më tej mospërputhjet.

    QKMF “Safet Idrizi” Vushtrri ishte furnizuar me 2500 doza të Influenza Vaccine (vaksina të gripit). Sipas databazës të shkarkuar paraprakisht nga IKShPK për njësinë e vaksinimit, Vushtrri të artikullit: Influenza vaccine, për periudhën 30.09.2024-24.04.2025, janë raportuar 1955 doza të vaksinave të gripit. Gjatë inspektimit të datës 09.06.2025 nuk patën qasje në Sistemin e Menaxhimit të Stokut Farmaceutik -SMSF për arsye se përgjegjësi/a e vaksinimit nuk ishte prezent duke pamundësuar verifikim të menjëhershëm nga ana e Inspektoratit Shëndetësor.

    Sipas deklaratës së Dr. Naile Gjaka- drejtoreshë në QKMF, Vushtrri dërguar përmes emailit zyrtar më 07.07.2025 ku deklaron se ky institucion është furnizuar me 2500 doza të vaksinës së gripit dhe në SMSF janë raportuar 2333 doza të vaksinës së gripit kurse numri i vaksinave të administruara gjithsej janë 2333 doza, në stok janë 135 vaksina, 32 doza janë të dëmtuara. Gjatë inspektimit të datës 07.07.2025, nga ana e stafit përgjegjës nuk u ofruan dëshmi në kohë reale për verifikimin e raportimit të saktë të vaksinave të gripit në SMSF”, thuhet në vendim.

    Në vendimin e tij, Inspektorati Shëndetësor konstaton se QKMF Vushtrri ka shkelur Ligjin për Shëndetësi dhe Udhëzimin Administrativ për Sistemin Informatave Shëndetësore, duke mos raportuar saktë të dhënat mbi vaksinat.

    Nga krahasimi i këtyre të dhënave rezulton mospërputhje prej 200 dozash të vaksinave të gripit të cilat nuk figurojnë të raportuara duke bërë shkelje të dispozitave ligjore të nenit 49, paragrafi 2 i Ligjit Nr. 04/L-125 për Shëndetësi dhe neni 2 paragrafi 2 dhe 3 të Udhëzimit Administrativ UA 11/2013 “Sistemi Informatave Shëndetësore dhe Raportimi i të dhënave statistikore Shëndetësore”.

    Për Gazetën Insajderi lidhur me këtë vendim, kanë folur nga komuna e Vushtrrisë, përkatësisht drejtori i Shëndetësisë dhe Përkujdesjes Sociale, Lorik Maxhuni.

    Maxhuni e ka quajtur vendim politik, duke mohuar se janë zhdukur 200 vaksina. Ai thotë se asnjë vaksinë nuk ka humbur, por ka pasur problem teknik e që është në përgjegjësinë e Ministrisë.

    “Kjo situatë e cila është paraqitur në mënyrë të gabuar dhe e politizuar nga disa individë. Siç e kemi sqaruar, nuk ka pasur asnjë zhdukje apo keqpërdorim të vaksinave të gjitha janë administruar sipas protokolleve ose janë në stok. Problemi ka qenë teknik, në sistemin elektronik të raportimit i cili menaxhohet nga Ministria e Shëndetësisë. Për fat të keq, disa deklarata publike kanë synuar të dëmtojnë imazhin e institucionit dhe të stafit shëndetësor për qëllime politike.

    Asnjë vaksinë nuk ka humbur. Vaksinat janë administruar sipas rregullave, ndërsa një pjesë ka mbetur në stok. Mospërputhja e evidentuar nga inspektimi lidhet vetëm me faktin që një pjesë e vaksinimeve nuk janë regjistruar në kohë në sistemin elektronik për shkak të problemeve teknike që ekzistojnë prej kohësh dhe për këtë është përgjegjëse Ministria e Shëndetësisë. Pra, është një çështje e raportimit teknik dhe jo një skandal apo keqpërdorim”.

    Maxhuni tutje ka thënë se e kanë paguar gjobën e shqiptuar, por besojnë se do iu kthehen mjetet pas ankesës së tyre, kjo pasi e konsiderojnë si vendim të padrejtë.

    “Gjobën e shqiptuar nga Inspektorati e kemi paguar për arsye se, në rast të mospagesës, ajo do të rritej dhe do të krijonte masa shtesë financiare. Pagesa është bërë vetëm për të shmangur këto penalitete gjatë kohës që ndjekim procedurat ligjore. Megjithatë, ne besojmë fuqishëm se pas shqyrtimit të ankesës sonë, këto mjete do të na kthehen, pasi gjoba është e padrejtë dhe e paarsyeshme”. Insajderi.org


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark