Reagon Eurovision: Nuk deshëm ta ndërlidhnim Kosovën me ISIS-in - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Reagon Eurovision: Nuk deshëm ta ndërlidhnim Kosovën me ISIS-in

    Insajderi
    29 April 2016 - 14:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Menaxheri për komunikim me media nga Eurovisioni, Paul Jordan, ka thënë se një rregull e tillë vlen edhe për flamurin e Skocisë.

    Flamuri i Kosovës nuk do të mund të jetë në duart e të pranishmëve, audiencës gjatë dy netëve finale që do të mbahen në Stokholm të Suedisë.

    “Për fat të keq, Kosova nuk është as pjesëmarrëse dhe as vend anëtar i Kombeve të Bashkuara. Është për keqardhje që ky dokument është publikuar ngase ai ishte vetëm për nevoja të përdorimit të brendshëm dhe në listën e tij ishin vetëm si shembuj flamujt e Kosovës dhe Baskisë. Ne nuk duam që në asnjë mënyrë këtë ta ndërlidhim me ISIS-in dhe na vjen keq nëse radhitja e flamujve në dokument dikë e ka lënduar”, ka thënë Paul Jordan për Radio Evropa e Lirë.

    Sipas rregullores së re, flamujt që do të mund të përdoren në garën e Eurovisionit janë vetëm ato të shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, pastaj flamujt e shteteve pjesëmarrëse në Eurovision apo atyre që kanë marrë pjesë më herët, si Turqia, Portugalia e Rumania.

    “Politika rreth flamujve nuk është e orientuar kundër çfarëdo organizate apo territori. Nëse flamujt e publikuar në dokumente e kanë lënduar dikë, ne ndjejmë keqardhje”, ka thënë Jordan.

    Po ashtu, nuk do të lejohet përdorimi as i flamujve lokal, rajonal apo provincial, si edhe i atyre që propagojnë përmbajtje komerciale apo edhe aso të urrejtjes dhe diskriminimit.

    Sidoqoftë, në Prishtinë vendimi për ndalimin e flamurit të Kosovës në Eurovision është pritur me zhgënjim dhe keqardhje të thellë. /Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark