21 vjeçari në Gjilan viktima e fundit, kaq vrasje u regjistruan këtë vit në Kosovë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    21 vjeçari në Gjilan viktima e fundit, kaq vrasje u regjistruan këtë vit në Kosovë

    Insajderi
    09 November 2021 - 20:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Vrasja e rëndë në Gjilan e 21 vjeçarit E.R, fëmija i vetëm i familjes tronditi opinionin kosovar. Por gjatë vitit 2021 Kosova u trondit edhe nga 18 vrasje të tjera.

    Gazeta Online Reporteri.net ka kërkuar nga Policia e Kosovës numrin e vrasjeve në vendin tonë. Sipas Policisë së Kosovës në këtë vit deri në muajin nëntor janë kryer 19 vrasje.

    Ndërkohë, sipas Kodit Penal të Kosovës vrasjet klasifikohen në vrasje dhe vrasje e rëndë.

    Gjatë këtij vitit sipas këtij klasifikimi kanë ndodhur 7 vrasje dhe 12 vrasje të rënda.

    Neni 172 i Kodit Penal thotë se kushdo që e privon personin tjetër nga jeta dënohet me jo më pak se pesë (5) vjet burgim, kurse neni 173 ose vrasja e rëndë dënohet me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

    “Bazuar në të dhënat e PK-së, në vijim keni numrin e rasteve të raportuara nga neni 178-172* Vrasja dhe 179*173* Vrasja e Rëndë gjatë këtij viti kemi pasur 19 vrasje. Policia e Kosovës rastet e vrasjeve i trajton duke u bazuar në ligjet e aplikueshme në vend dhe në konsultim me Prokurorinë kompetente ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për kompletim dhe procedim të rasteve në organet e drejtësisë.”, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

    Ai tregon për Reporteri.net se Policia në vazhdimësi ka ndërmarrë veprime konkrete për parandalim qoftë përmes operacioneve policore për konfiskimin e armëve ilegale apo edhe përmes fushatave të ndryshme për vetëdijesim për të gjitha aktivitetet e kundërligjshme që mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti apo terthorazi në rrezikimin e sigurisë së përgjithshme apo që mund të qojnë tek kryerja e akteve të tilla.

    Hoxha shton se në aspektin e parandalimit përveç Policisë duhet luajtur rolin e tyre edhe akterët tjerë të cilët kanë obligime institucionale dhe shoqërore në funksion të vedijësimit apo senzibilizimit të shoqërisë lidhur me pasojat që mund të vijnë nga veprimet e kundërligjshme në përgjithësi.

    “Rastet e vrasjeve në përgjithësi janë shqetësuese dhe shkaktohen për motive të ndryshme, përderisa vendimet lidhur me rastet e tilla dhe përcaktimi i dënimeve është kompetencë e organeve të drejtësisë”, thotë tutje Hoxha.

    Nga të dhënat e Policisë nga viti 2016 në Kosovë kanë ndodhur 154 vrasje.

    Në vitin 2016 sipas Policisë kanë ndodhur 30 vrasje. Në vitin 2017 kanë ndodhur 24 vrasje.

    Po ashtu 36 vrasje janë shënuar në vitin 2018. Në vitin 2019 janë kryer 20 vrasje, ndërsa në vitin 2020 janë kryer 27 vrasje.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark