InDoks | Visar Duriqi, Vranina Kelmendi
Edhe 20 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, qindra familje ende nuk kanë një varr për familjarët e tyre të zhdukur.
Për vite shpresat e tyre janë zgjuar, e më shumë janë shuar, pasi varrezat masive marrin shumë kohë për t’u eksploruar, ndërsa shpesh rezultatet janë minore.
Varësisht prej mbetjeve mortore që nxirren, ndonjëherë dihet se cilit regjion i përkasin trupat, por ende shumë familje nuk kanë marrë asnjë përgjigje për trupat e të afërmve të tyre të zhdukur.
InDoks edhe një herë iu është kthyer të të zhdukurve përmes dokumentarit: “Të pagjeturit kanë emër”.
Një temë që tash e sa vjet trajtohet me shifra, por në fakt: të pagjeturit kanë emër, secili është një fat njerëzor.
Në pesë vjet e fundit shifrat e të pagjeturve pothuajse nuk kanë lëvizur statistikat kanë treguar se ka shumë pak progres, dokumentari dëshmon se ka ende punë për t’u bërë.
1638 persona ende vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur.
Kushtim Gara që është pjesë e Komisionit Parlamentar për të Zhdukurit gjatë luftës, ka thënë se këto shifrat janë relative, dhe se janë duke bërë përpjekje për gjetjen e tyre.
“Po bëjmë përpjekje për ndriçimin e fatit të personave ët pagjeturve të mos interpretojmë në terma statistikore për shkak se të dhënat që po i prezantojmë gjithmonë janë relative, ka identifikime të reja sigurisht, se numri mund të zvogëlohet mund të ketë njëjtën kohë kërkesat e reja të familjeve për të iniciuar apo regjistruar ndonjë person deri më tani”, tha ai për InDoks, shkruan Gazeta Insajderi.
Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare, thotë që shteti i Kosovës duhet të insistojë në zbardhjen e fatit të zhdukurve.
“Kosova duhet të insistojë në agjendë, mendoj që pa zgjidhjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të paktën për gjetjen e informacionit. Nuk mund të arrihet një marrëveshje e paqes, palët duhet të ndërmarrin përgjegjësitë sa do e vështirë që është”, ka thënë Blakaj për InDoks, shkruan Gazeta Insajderi.
Një dritë shprese tek varreza në Kishevak
Varreza e re masive në Kizhevak është një dëshmi e këtij trajtimi çnjerëzor. Pos që dyshohet që trupat që janë varrosur aty, fillimisht ishin varrosur e zhvarrosur nga vende të tjera, mbi të njëjtën tash e dy dekada janë hedhur mbetje të tjera.
Falë imazheve satelitore ky vend krimi do të ri-gjendej tek në vitin 2020.
Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu, ka thënë se janë lëvizur male e shkëmbe për gjetjen e kësaj varreze.
“Në varrezën e fundit punohet nga viti 2015, mos të themi së shkëmbe e male kemi lëvizur që nga viti 2015, por duke falënderuar imazhet satelitore është gjetur lokacioni i saktë. Tani pjesët kockore janë hasur në momentet kur luga e ekskavatori, pra një pjesë e kockave, të rrobave dhe artefakteve”, ka thënë Gërxhaliu.
Ai ka treguar se çka pritet që të gjendet në varrezën e re masive në Kizhevakt, të zbuluar vetëm së fundmi.
“Punimet do të zgjasin aq sa do të kemi punë, kjo punë varet nga numri i individëve të cilët gjinden, pjesët kockore varësisht sa janë të shkapërderdhura. Terreni është më i vështirë që e kam pas 21 vitet e fundit. Është spekuluar me numra dhe nga pala serbe por unë edhe po ta dija numrin saktë nuk e them asnjëherë”, ka shtuar Gërxhaliu për InDoks, shkruan Gazeta Insajderi.
Emisioni e plotë mund ta shikoni më poshtë: