
Tre vëllezërit Rexhepi dhe kushëriri i tyre Fitim Nelku po ktheheshin nga puna në Shupenz Dibër me mjetin e tyre tip Benz me targa “AA923FH” dhe pikërisht në vendin e quajtur tuneli i Shkopetit në dalje mjeti nuk ka ndjekur trajektoren normale të rrugës, por në kthesë, ndoshta si pasojë e shpejtësisë, ka kapërcyer një bordurë duke përfunduar në humnerë.
Si pasojë kanë humbur jetën njëri nga vëllezerit Rexhepi, Afrimi, si dhe kushëriri i tyre Fitim Nelku.
Policia e Lezhës dhe Kurbinit mbërritën në vendngjarje dhe kanë bërë dërgimin e të plagosurve në spitalin e Laçit.
Sipas policisë, mjeti nuk ka ndjekur trajektoren normale dhe ka rënë nga një lartësi e madhe duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të dy personave.
Fatmirësisht mjeti nuk ka përfunduar në ujërat e liqenit të Hidrocentralit të Shkopetit, ku do të rrezikohej jeta edhe e dy të mbijetuarve.
Aktualisht ata ndodhen nën kujdesin e mjekëve dhe do merren në pyetje për të mësuar shkaqet e ngjarjes së rëndë.