Agjencia nigeriane e lajmeve NAIJ ka publikuar një raport në të cilin Shoqata e Mjekëve në Nigeri akuzon guvernatorin e shtetit Imo në Nigeri, Rochas Okorcha, se ka krijuar një rrjet të trafikimit të qenieve njerëzore në shtetin nigerian duke bashkëpunuar me zyrtarë të shteteve të tjera, përfshirë edhe Kosovën.
“Për herë të parë në historinë e njerëzimit, një qeveri ka deklaruar vet një aleancë të trafikimit të organeve. Qeveria e shtetit të Imos është duke përdorur objektet shëndetësore për të lehtësuar rrjetin e trazimit të organeve”, ka thënë Philip Njemanze, kryetar i Shoqatë së Mjekëve në Nigeri.
Sipas Njemanze, bashkëpunëtorët e huaj të këtij rrjeti janë zyrtarë të qeverive në Turqi, Kosovë dhe Kroaci duke krijuar kështu një rrjet të përsosur të trafikimit.
“Pra kemi të bëjmë me një rrjet ndërkombëtare me Rochas si udhëheqës lokal në Nigeri. Ish kryeministri i Kosovës, drejtues i trafikimit të organeve në Evropë është mik i Okorcha ”, ka thënë Njemanze, raporton Insajderi.
Sipas Shoqatës së Mjekëve të Nigerisë, udhëtimet e fundit të guvernatorit në Turqi, Kosovë, Kroaci dhe vende të tjera të Amerikës Latine dhe Azisë si dhe ndërtimi i 27 spitaleve të reja në shtetin nigerian, janë dëshmi që guvernatori është palë biznesi në trafikimin e organeve.
Ndërsa zyra për media e guvernatorit ka thënë se këto pretendime janë “një histori e vjetër që po trajtohet nga departamenti i sigurisë në Nigeri”.
Guvernatori nigerian ka qenë në vizitë në Kosovë, në muajin mars të vitit 2012, ku ishte pritur në Qeverinë e Kosovës nga zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së atëhershme, Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari Lila dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Ibrahim Gashi, raporton Insajderi.
Madje guvernatori ishte takuar edhe me familjen Jashari në Prekaz, ku i ishte dhuruar një libër historie./Insajderi.com