Për 24 orë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar tre nga “armiqtë” e tij: Edi Ramë, Rrahman Jasharajn dhe Pieter Feith.
Takimi Kurti-Rama
Kryeministri Albin Kurti është duke zhvilluar një takim me homologun e tij shqiptar, Edi Ramën.
Takimi “befasues” mes dyshes po zhvillohet në vilen qeveritare të Ramës.
Ende nuk dihet tema e takimit Kurti-Rama, pasi i njëjti nuk ishte paralajmëruar më herët, shkruan Gazeta Insajderi.
Siç dihet tashmë, raportet e Kurtit me Ramën janë jo fort të mira, sidomos për çështjen e Ballkanit të Hapur, proces ky të cilin kryeministri kosovar e kundërshton fuqishëm, derisa ai shqiptar e mbështet po aq fuqishëm.
Derisa raportimi në media kishte shkuar aq larg, sa thuhej se Rama në njërin nga takimet e Ballkanit të Hapur në Ohër, kishte deklaruar “do ta rrëzonte Albin Kurtin deri në shtator”, shkruan Gazeta Insajderi.
Më herët, Rama takimin e fundit ndërqeveritar e pati nisur duke folur për kiminë që e ka “me Albinin”.
Pasi kryeministri Kurti lexoi fjalimin e tij në takimin mes dy qeverive, kryeministri Rama tha se e la anash fjalimin e tij dhe se do të thotë fjalë të tjera.
“Unë e hoqa këtë fjalimin e përgatitur, për tu fokusuar në disa pika që janë të rëndësie të veçantë”, tha ai.
Fjalën e tij e nisi me kiminë që e ka me Kurti, edhe pse, ai thotë se “pakkush e beson”.
“Është një kënaqësi e veçantë. Edhe pse pakkush e beson kur e them, se, ku ne takohemi, kemi një sinergji të plotë dhe qëshim jo pak. Kjo është e rëndësishme”, tha Rama në qershor, shkruan Gazeta Insajderi.
Më herët kur Kurti ishte në opozitë, fliste pak më ndryshe për raportin me Ramën. Ai pati thënë se janë njerëz dhe politikanë të ndryshëm, por se duan të bashkëpunojnë.
“Ne nuk kemi pasur marrëdhënie të çrregulluara. Ne jemi njerëz të ndryshëm, jemi politikanë të ndryshëm dhe duam që të bashkëpunojmë në mënyrë që dallimet dhe mospajtimet që kemi kurrsesi nuk bën që ta rrezikojnë bashkëpunimin tonë. Ne nuk jemi dy persona të veçantë, por dy funksione që qytetarët presin të bashkëpunojnë”, pati thënë Kurti, shkruan Gazeta Insajderi.
Teksa priste ta merrte mandatin për krijimin e qeverisë së Kosovës pas fitores në zgjedhjet e 6 tetorit të 2019, Kurti ishte takuar për më shumë se pesë orë me Ramën.
“Me Ramën kemi diskutuar për çështjet dhe temat që do të diskutojmë. Organogramet e qeverive vijnë më vonë. Pra një herë është substanca, e më pastaj edhe forma që duhet të marrë ky bashkëpunim… Efekti sinergjik që mund të kemi natyrisht që nuk është i shfrytëzuar sa duhet. Besoj se mundësitë që kemi si qeveri dhe nevojat që kanë qytetarët janë shumë më të mëdha se realiteti që e gëzojnë të gjithë. Prandaj, ne duam që të krijojmë sa më shumë ura dhe Kosova dhe Shqipëria, e Shqipëria dhe Kosova t’i ndihmojnë shqiptarët që të mos jenë më të varfrit, më të papunët dhe më të nëpërkëmburit jo vetëm në Ballkan”, pati thënë Kurti nga Pallati i Kongreseve në Tiranë, kur po merr pjesë në Samitin e Paqes së Europës Juglindore, shkruan Gazeta Insajderi.
Takimi Kurti-Jasharaj
Para se të nisej për në Tiranën zyrtare, kryeministri i Kosovës, e ka takuar “opozitarin” e tij më të madh të këtyre kohëve, Rrahman Jasharajn.
Takimi ndërmjet Bashkimit të Sindikatave të Kosovës të përfaqësuara nga Jasharaj me qeverinë e drejtuar nga Kurti, përfundoi pa asnjë përafrim mbi përfundimin e grevës së përgjithshme e cila ka nisur nga 25 gushti.
Jasharaj insiston: 100 euro deri në miratimin e Ligjit pë Paga, derisa Kurti nuk pranon… dhe kështu vazhdon saga e dyshes më të përfolur për momentin, në Kosovë, shkruan Gazeta Insajderi.
Derisa Kurtit e Jasharaj nuk merren vesh, si pasojë e grevës që dy javë jashtë shkollave kanë mbetur afro 300 mijë nxënës, dhe tashmë nuk ka asnjë datë të mundshme për fillimin e mësimeve.
Përndryshe takimi i sotëm mes Kurtit me ekip dhe Jasharit me të tijtë – ka ardhur pas një ngërçi disa mujor pa asnjë nismë për dialog social.
Jasharaj e akuzonte Kurtin se nuk po i pranonte në takim për t’i shqyrtuar kërkesa e sindikatave, derisa kryeministri tha sot se janë mbajtur mbi 20 takime për këto çështje nga palët e involvuara, por pa të
Pas takimit drejtuesi i SBASHK-ut tha se s’ka asnjë ndryshim nga pozicionet e grevistëve dhe qeverisë.
“Sapo dolëm nga një takim shumë kohë i pritur mes këshillit grevist dhe kryeministrit Kurti e ministrave Murati e Nagavci. Takimi ishte i gjatë, ne si këshill grevist ia rikujtuam kërkesat tona legjitime që i di opinioni, ata na treguan për angazhimet që kanë bërë. Takimi ishte përmbajtësor por asgjë nuk kemi ndryshme. Qeveria qëndron në pakon e prezantuar”, tha ai, shkruan Gazeta Insajderi.
Sindikalistët e arsimit, që organizojnë grevën, thonë se nuk do të heqin dorë, derisa të plotësohet kërkesa e tyre për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj për të gjithë punonjësit e arsimit, deri në fillimin e zbatimit të Projektligjit për paga.
Ndërsa, Kurti këtë kërkesë të BSPK-së e sheh si bojkot, shantazh dhe mashtrim ndaj shtetit, derisa ka informuar se Ligji për Pagat që parasheh rritje të pagave për mësimdhënësit, do të dalë në miratim së shpejti, duke kërkuar që nxënësit dhe mësimdhënësit të kthehen në shkolla.
Takimi Kurti-Feith
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka takuar dje ish-Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar për Kosovën dhe ish-Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Pieter Feith.
Takimi ndodhi në shënim të 10-vjetorit të përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.
Pas takimit Kurti organizoi një pritje për Feith, në ndërtesën e Qeverisë. Përpos tij në këtë organizim të Zyrës së Kryeministrit të ftuar ishin pjesëtarë të korit diplomatik në Kosovë dhe përfaqësues të institucioneve vendore.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Kurti pati një falënderim të veçantë për Feith.
“Festimi i përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur nuk do të ishte i plotë pa falënderuar personin që udhëhoqi atë proces, z. Pieter Feith”, tha kryeministri Kurti duke rikujtuar se atë botë ishte kritik i mbikëqyrjes ndërkombëtare si kufizim i pavarësisë dhe sovranitetit të vendit.
“10 vjet pas, Kosova është larg vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh kryeministri Kurti, dhe përveç sukseseve në çështje të brendshme, shtoi ai, ajo ka dëshmuar veten si partnere e besueshme dhe aleate besnike në arenën ndërkombëtare duke marrë pjesë në Defender Europe 21 përkrah 26 vende, duke u bërë bashkë me ShBA-të dhe BE-në në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, dhe duke u bërë strehë e 1,800 refugjatëve nga Afganistani dhe 9 gazetarëve nga Ukraina që tashmë janë bërë banorë të Prishtinës.
Madje, në këtë takim Kurti ia tregoi disa prej aktiviteteve që partia e tij i bënte dikur.
Bile, njëra prej tyre ishte pikërisht kundër ish-diplomatit holandez, që Kurti opozitar e neveriste në disa raste.
“Së bashku risollën në kujtesë edhe disa nga aktivitetet gjatë kohës sa Pieter Feith ishte Përfaqësues Civil Ndërkombëtar për Kosovën dhe Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian, të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje, sikurse posteri “Feith No More” e që sipas Feith ishte tregues i padurimit për të mbyllur mbikëqyrjen e pavarësisë”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, të hënën, shkruan Gazeta Insajderi.
Ndryshe, Pieter Feith, ish-përfaqësues special i Bashkimit Evropian në Kosovë, e kishte dënuar fuqishëm sulmin ndaj avokatit Avni Gjakova në rastin e Albin Kurtit, i cili më 15 prill të 2010-s ishte gjuajtur gjuajt me vezë nga aktivistët e “Vetëvendosjes”.
“Ne e dënojmë fuqishëm sulmin e djeshëm ndaj avokatit në rastin e Albin Kurtit, z. Avni Gjakova. Është jashtëzakonisht e rëndësishme për sundimin e ligjit që institucionet dhe ata që e kanë për detyrë të punojnë me to të jenë në gjendje që të punojnë pa ndërhyrje politike, pa u penguar dhe pa dhunë”, thuhet në një komunikatë të atëhershme.
Ndërkohë, pas më shumë se 12 vjetësh nga ky reagim Kurti e priti në takim ish-Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar për Kosovën, Feith.