Sot, 275 kandidatë nga minoritetet iu janë nënshtruar testit me shkrim për të kaluar në fazën tjetër të procesit të rekrutimit për të bërë zyrtarë policorë.
Testi është mbajtur në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri, duke filluar nga ora 10:00.
Testi përmbante 100 pyetje dhe ishte i dizajnuar për të vlerësuar njohuritë e kandidatëve në fushat e njohurive të përgjithshme, gjuhë dhe letërsi, si dhe matematikë. Për të kaluar testin, kandidatët duhet të sigurojnë të paktën 70% përgjigje të sakta.
Konkursi për këtë test ishte shpallur nga 11 korriku deri më 5 gusht. Procesi i testimit është përcjellë nga zyrtarë të OSBE-së dhe EULEX-it, sipas njoftimit zyrtar.