Demokracia në Veprim (DnV) po vazhdon me monitorimin e fushatës zgjedhore, tashmë kur ky proces ka hyrë në javën e tretë, dhe na ndajnë vetëm edhe një javë nga dita e zgjedhjeve, nëntë shkurti.
Në një komunikatë për media, DnV ka bërë me dije se java e tretë e fushatës është zhvilluar kryesisht e qetë.
Sipas DnV-së, në javën e tretë është përkeqësuar gjuha fyese, nxitëse apo e urrejtjes. Edhe këtë herë, për gjuhë të urrejtjes ka dominuar partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
“Gjatë javës së fundit ka pasur përkeqësim të mëtutjeshëm të gjuhës dhe diskursit të përdorur në fushatë. Numri i aktiviteteve ku është përdorur gjuhë fyese, nxitëse apo e urrejtjes, pothuajse është dyfishuar – me 48 raste të evidentuara vetëm këtë javë. Edhe gjatë kësaj jave, aktivitetet e organizuara nga LVV-ja, prijnë për nga numri i rasteve kur është përdorur gjuha e urrejtjes – me 13 aktivitete, apo 1/3 e aktiviteteve të zhvilluara“, thuhet në komunikatë.