
Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar në mars auditim, për projektin ‘Rehabilitimi e Linjës 10 Hani Elezit – Leshak’”. Sipas marrëveshjes së vitit 2015, ky projekt është dashur të finalizohet i tëri në vitin 2019 por që nuk është as afër përfundimit. Përgjegjëse për këtë projekt janë Infrakos së bashku me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës si dhe Ministrinë e Ekonomisë, shkruan Insajderi. Tashmë, raporti i ZKA-së është dërguar në prokurori.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka dërguar gjithsej 11 raste në Prokurorinë e Shtetit, lidhur me raportet e auditimit të performancës. Nga ZKA është bërë e ditur se këto raste i përkasin viteve 2024 dhe 2025.
Në një përgjigje të dhënë për Gazetën Insajderi, nga ZKA, kanë treguar se rastet lidhen me parregullsi të evidentuara në kuadër të raporteve të auditimit të performancës.
“Për sezonën e auditimit 2024/2025, deri në muajin qershor 2025, Zyra Kombëtare e Auditimit ka drejtuar informacion në Prokurorinë e Shtetit për 11 raste, që lidhen me parregullsi të evidentuara në kuadër të raporteve të auditimit të performancës”, thuhet në përgjigjen e ZKA-së.
Këto tri raste janë: Efikasiteti dhe efektiviteti në procesin e ndërtimeve të larta në Komunën e Prishtinës”, “Efikasiteti në realizimin e projektit ‘Rehabilitimi i Linjës 10 Hekurudhore Hani i Elezit – Leshak’”, “Menaxhimi i kontratës “Mirëmbajtja dhe riparimi i infrastrukturës në deponitë sanitare dhe stacionet e transferit në Kompaninë e Menaxhimit të Deponive në Kosovë”.
“Këto raste janë nga tri raporte të auditimit e performancës, “Efikasiteti dhe efektiviteti në procesin e ndërtimeve të larta në Komunën e Prishtinës”, “Efikasiteti në realizimin e projektit ‘Rehabilitimi i Linjës 10 Hekurudhore Hani i Elezit – Leshak’”, “Menaxhimi i kontratës “Mirëmbajtja dhe riparimi i infrastrukturës në deponitë sanitare dhe stacionet e transferit në Kompaninë e Menaxhimit të Deponive në Kosovë”. Po ashtu është edhe një rast që është identifikuar gjatë auditimit në një prej ndërmarrjeve publike, i cili nuk ka qenë në fushëveprim të auditimit, por që kemi vlerësuar se është në interes të vendit që të trajtohet dhe të hetohet çështja më tutje”, thuhet në përgjigjen e dhënë për Gazetën Insajderi.
Nga ZKA kanë treguar se në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Prokurorit të Shtetit të dhënat e shkëmbyera nuk shpalosen pasi konsiderohen konfidenciale dhe menaxhohen vetëm nga persona të autorizuar. Kjo siguron mbrojtjen e palëve të përfshira dhe integritetin e procesit hetimor.
Çka thuhej në raportin e ZKA-së për ‘Rehabilitimi e Linjës 10 Hani Elezit – Leshak’”?
Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 nga Hani i Elezit deri në Leshak në Leposaviq ka pasur të përfundojë në vitin 2019.
Mungesa e komunikimit, mungesa e ekspertëve adekuat, pamjaftueshmëria në angazhim dhe vendimmarrje nga palët përgjegjëse, sipas Zyrës Kombëtare të Auditim e ka sjellë projektin në këtë pikë.
“Edhe pse shihet një progres i shpenzimeve gjatë viteve 2022 dhe 2023, prap edhe pesë vite pas kohës së caktuar për finalizim të projektit, realizimi i punëve është 60% për fazën I, 32% për fazën II, ndërsa për fazën III nuk ka ende as projekt të dizajnuar. Kosto shtesë dhe provizionale të shkaktuara janë 30 milion euro, prej të cilave rreth 28 milion euro janë prej ndryshimeve nga kontratat bazë dhe pjesa tjetër janë kosto tjera të ndërlidhura me projekt…”.
Një nga kritikat kryesore të Auditorit, ishte vonesat dhe kosot shtesë që po merr ky projekt.
“Konkluzioni i përgjithshëm i auditimit është se mungesa e komunikimit, mungesa e ekspertëve adekuat, pamjaftueshmëria në angazhim dhe vendimmarrje nga palët përgjegjëse kanë ndikuar që realizimi i projektit të jetë larg nga të qenit efikas. Edhe pse shihet një progres i shpenzimeve gjatë viteve 2022 dhe 2023, prap edhe pesë vite pas kohës së caktuar për finalizim të projektit, realizimi i punëve është 60% për fazën I, 32% për fazën II, ndërsa për fazën III nuk ka ende as projekt të dizajnuar. Kosto shtesë dhe provizionale të shkaktuara janë 30 milion euro, prej të cilave rreth 28 milion euro janë prej ndryshimeve nga kontratat bazë dhe pjesa tjetër janë kosto tjera të ndërlidhura me projekt“, thuhet aty.
Siç thotë auditori, disa nga mangësitë kryesore të identifikuara përfshijnë: Realizimi i projektit është përcjellë me vonesa të tej zgjatura në çdo fazë si dhe kosto përtej planifikimit, ndryshime të mëdha në kontrata dhe nevoja për huamarrje shtesë si shkak i vlerësimit jo të duhur të nevojave, Procedurat e kontraktimit dhe menaxhimit të kontratave ishin përcjellë me mangësi të mëdha, rrjedhimisht kishte ndryshime të mëdha në projekt, Njësia për Implementimin e Projektit nuk kishte arritur të ushtroj ndikimin e saj në realizimin e projektit, Mungesë e monitorimit nga Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike dhe vendimmarrje të pamjaftueshme nga Bordi i Drejtorëve, Komiteti Drejtues dhe Infrakos.
Këto ndryshime, sipas auditorit kanë rezultuar me 30 milion euro kosto shtesë dhe provizionale dhe vonesa të mëdha në realizim.
Projekti edhe pas mbi nëntë vitesh nga nënshkrimi i marrëveshjes është larg finalizimit, prandaj edhe janë detyruar të zgjasin afatin për finalizimin e tij deri në vitin 2027.
“Procedurat e kontraktimit dhe menaxhimit të kontratave ishin përcjellë me mangësi të mëdha, rrjedhimisht kishte ndryshime të mëdha në projekt. Deri tani janë nxjerrë 27 urdhër ndryshime me kosto shtesë dhe provizionale rreth 28 milion euro apo 21% me të larta se kontratat fillestare, por që kanë marrë edhe kohë shtesë, sepse procedura e përdorur ka kërkuar që dizajnin ta hartoj kompani tjetër e punimet kompani tjetër. Me vonesa ishin përcjelle edhe proceset e vlerësimit, ku nga njoftimi për kontratë deri në nënshkrim të kontratës kishin marrë kohë rreth dy vite (procedurat e filluara gjatë viteve 2017 dhe 2020)”, thuhet në gjetjet e auditorit.
Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor, Ministria e Ekonomisë dhe Infrakos janë pajtuar me gjetjet dhe rekomandimet e auditimit.
Projekti i Rehabilitimit të Linjës 10 ka për qëllim përmirësimin e gjendjes fizike dhe teknike të kësaj linje hekurudhore, për të rritur kapacitetin transportues, shpejtësinë dhe sigurinë e saj.
Përmirësimi i infrastrukturës hekurudhore konsiderohet si një hap thelbësor për arritjen edhe të objektivave të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim të Kosovës, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social të vendit.
Ky projekt është financuar nga huamarrje dhe grante, ku gjatë viteve 2015-2024 për projektin në fjalë janë paguar 92,3 milion euro apo 37% nga 250 milion euro, vlerë kjo e caktuar me marrëveshjen e përditësuar dhe nënshkruar në dhjetor 2023./Insajderi.org/