Më 17 nëntor 1994, Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) mori një vendim historik, që do të ndikonte thellë në të ardhmen e Kosovës.
Ky vendim ishte emërimi i njësive luftarake të LPK-së me emrin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës” (UÇK). Ky moment shënoi fillimin e një kapitulli të ri në luftën për lirinë e Kosovës, një kapitull që do të mbahet mend si një nga ngjarjet më të lavdishme dhe të rëndësishme të historisë shqiptare.
Studiuesi Fitim Salihu, duke kujtuar këtë ditë historike, shkruan:
“Dita e pagëzimit me tri shkronja të arta është dita kur një popullit të tërë nisi t’i kthehej shpresa, dinjiteti dhe guximi. Me pak ushtarë e pak armatim, por me shumë ëndrra dhe guxim, djemtë dhe vajzat e UÇK-së e shkruan me gjak episodin më madhështor dhe emancipator, që nga 1912-a, të historisë së gjithë popullit shqiptar.”
Sipas Salihut, UÇK-ja me një numër të kufizuar ushtarësh dhe armësh, por me një forcë të jashtëzakonshme shpirtërore, arriti të bëjë të mundur një transformim të madh politik dhe shoqëror, që do të ndryshonte përjetësisht fatin e Kosovës.
Postimi i plotë:
Më 17 nëntor 1994, para 30 vjetësh, Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) mori vendimin që të emërtonte njësitë e saj luftarake që vepronin në territorin e Kosovës. Vendimi i LPK-së ishte që emri i këtyre njësive të jetë “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.
UÇK-ja më vonë do të ishte faktori vendimtar për lirinë e Kosovës dhe kësodore hyri në histori si Ngjarja, me N të madhe, më e lavdishme në historinë e Kosovës.
Dita e pagëzimit me tri shkronja të arta është dita kur një popullit të tërë nisi t’i kthehej shpresa, dinjiteti dhe guximi. Me pak ushtarë e pak armatim, por me shumë ëndrra dhe guxim, djemtë dhe vajzat e UÇK-së e shkruan me gjak episodin më madhështor dhe emancipator, që nga 1912-a, të historisë së gjithë popullit shqiptar.
Madje, UÇK-ja nuk ishte thjesht guerilje. Lufta e saj ishte edhe diplomatike. UÇK-ja e filloi luftën dhe e përmbylli paqen. Krismat e aksioneve të viteve 1991-1993 u kurorëzuan me fitoren politike në Rambuje më 1999 dhe me shpalljen e Pavarësisë më 2008. Sepse, siç thoshte Mishel Fukoja, duke e invertuar shprehjen e famshme të Klauzevicit, “politika është vazhdim i luftës me mjete të tjera”.