
Viti – Elmedin Veseli, është dënuar me 300 euro gjobë, pasi ka pranuar fajësinë se në maj të 2021-tës ka kontrabanduar dy krerë lopë pa dokumentacion përcjellës mbi transportin dhe prejardhjen e tyre, i cili mall është sjellë përmes rrugëve ilegale nga Maqedonia e Veriut.
I akuzuari Veseli ngarkohet se e ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në vlerë 57 euro e 60 centë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktgjykimi është shpallur të enjten në Gjykatën Themelore në Gjilan dega në Viti nga gjykatësja Blerina Jakupi Ramadani.
Gjykatësja ka njoftuar se në rast të mospagesës së dënimit, dënimi me gjobë do të zëvendësohet me dënim me, ku për një ditë burgimi do t’i llogaritet shuma prej 20 euro.
Krahas kësaj, i pandehuri është i obliguar edhe me shpenzimet procedurale dhe atë më 20 euro për paushallin gjyqësor.
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjilan thuhet se më 19 maj 2021, rreth orës 20:15, në fshatin Sadovinë e Çerkezëve gjatë kalimit të pikës kufitare të Republikës së Kosovës nga drejtimi i Republikës së Maqedonisë Veriore dhe duke iu shmangur kontrollit doganor, me një furgon “Renault Master”, pa targa ka sjellë dy lopë, me vlerë 720 euro, për të cilat ai nuk kishte dokumente për origjinën e mallrave, të cilat i ka siguruar në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në këtë mënyrë, sipas prokurorisë, vlera e detyrimeve doganore është 57 euro e 60 centë, kështu që pas kalimit të vijës kufitare në fshatin Sadovinë e Çerkezëve, Komuna e Vitisë, është ndalur nga patrulla e policisë kufitare të SPMK-së Zhegër dhe bagëtia në fjalë u konfiskua iu konfiskua të pandehurit.
Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Kontrabandimi i mallrave” nga neni 311, paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi