“300 punëtorë të sigurimit në QKUK ende pa punë” – Azemi njofton për 'marrëveshjen' me ministrin Vitia - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “300 punëtorë të sigurimit në QKUK ende pa punë” – Azemi njofton për ‘marrëveshjen’ me ministrin Vitia

    Insajderi
    24 July 2025 - 20:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka bërë të ditur se është në pritje të zgjidhjes përfundimtare të çështjes së punëtorëve të sigurimit fizik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pas një bisede të gjatë telefonike me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, shkruan Insajderi.

    Sipas Azemit, ministri Vitia ka garantuar se afati i fundit për rikthimin e këtyre punëtorëve në pozitat e tyre është dita e martë, më 28 korrik 2025.

    Kjo garanci, siç u tha, është marrë nga menaxhmenti i QKUK-së dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

    “Pas kësaj date, nëse nuk përfundon ky proces, ministri premtoi se do të ketë pasoja për personat përgjegjës të këtij tenderi. Sindikatës dhe Ministrisë së Shëndetësisë nuk i intereson kush e fiton këtë tender, por që punonjësit ditën e mërkurë të jenë ne vendet e tyre të punës. Ministri është deklaruar që për problemet e këtyre punëtorëve është i gatshëm kurdoherë, ka shkruar Azemi në Facebook.

    Ai shtoi se qëllimi i përbashkët i Sindikatës dhe Ministrisë së Shëndetësisë është që punëtorët të rikthehen në vendet e punës pa marrë parasysh se cila kompani ka fituar tenderin për shërbimet e sigurimit.

    Tenderi për sigurimin fizik të objektit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka hyrë në një fazë kaotike, me pasoja të drejtpërdrejta për rreth 300 punëtorë të sigurisë që kanë mbetur pa punë.

    Çështja është ndërlikuar më tej nga pezullimi i kontratës së re të dhënë në formë të negociuar, pas një vendimi të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), bazuar tërësisht në raportin e ekspertes Hafseje Zejnullahu.

    Zejnullahu, përveç rolit të saj si eksperte në këtë rast, është e punësuar në Komunën e Skenderajt – një institucion ku pozitën e nënkryetarit e mban Sami Lushtaku nga PDK.

    Për më tepër, kompania që ka paraqitur ankesën që çoi në pezullimin e kontratës, “Security Code”, është në pronësi të Milzaim Lushtakut, nipit të Lushtakut. Kjo ka ngritur dyshime për një konflikt të mundshëm interesi.

    Gazeta Insajderi ka kërkuar nga OSHP sqarime nëse është shqyrtuar një situatë e tillë, por përgjigja institucionale ka qenë e përgjithshme, pa specifikuar nëse Zejnullahu ka bërë vetëdeklarim për konflikt të mundshëm interesi, siç kërkohet me ligj. Ndërkohë, vetë Zejnullahu nuk ka dhënë asnjë koment publik për rastin.

    Raporti i saj është konsideruar kyç nga Paneli i OSHP-së, duke çuar në pezullimin e kontratës që i ishte dhënë kompanisë “Skyfterat-LIVE”.

    Sipas pretendimeve të “Security Code”, kompania rivale nuk ka respektuar kriteret financiare dhe ligjore të tenderit, përfshirë pagën bazë minimale dhe procedurat e negociatave.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark