Rama në Turqi, krah për krah Erdoganit në luftën kundër së keqës - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Rama në Turqi, krah për krah Erdoganit në luftën kundër së keqës

    Insajderi
    30 June 2016 - 00:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Megjithatë, sulmet terroriste në Stamboll nuk e ndryshuan axhendën e kryeministrit Edi Rama në Turqi.

    Mëngjesin e së mërkurës, ai udhëtoi nga aeroporti i goditur i Stambollit drejt Ankarasë dhe nisi vizitën zyrtare në kryeqytetin turk me homazhet në mauzoleun e Mustafa Kemal Ataturkut.
    Axhenda e kryeministrit Rama në Ankara përfshinte takime me udhëheqësit kryesorë të vendit. Fillimisht Rama i shprehu presidentit turk ngushëllimet për viktimat e aktit terrorist në Stamboll, duke theksuar përkushtimin e Shqipërisë në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

    Rama dhe Erdogan i vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve si të shkëlqyera dhe nxitën biznesin për rritjen e shkëmbimeve tregtare.

    Kreu i qeverisë shqiptare ndodhet në Ankara me ftesë të homologut të tij turk, Binali Yildirim, i cili i është në këtë detyrë që prej një muaji. Tema kryesore e diskutimit në konferencën e përbashkët për shtyp ishte terrorizmi.

    “Jam i bindur njësoj si kryeministri Yildirim, që ata që e zhytën sot në zi Turqinë, në një ditë të muajit të shenjtë, kurrën e kurrës nuk do ta pengojnë as këtë vend të bekuar dhe as fuqinë e ëndrrave dhe të shpresave të të gjithëve ne, besimtarë ose jo besimtarë, të bashkuar në sofrën e njerëzidashjes. E në këtë sofër të njerëzidashjes, Shqipëria dhe Turqia janë bashkë prej kohësh. Ne kemi parë me kënaqësi të gjithë panoramën e gjërave që na lidhin dhe na bashkojnë dhe po ashtu kemi konstatuar se potenciali për të bërë më shumë është i jashtëzakonshëm”, deklaroi Rama.

    “Fatkeqësisht, vendi ynë pësoi një sulm terrorist, pati viktima e të plagosur. Falenderoj mikun tim shqiptar, zotin Rama për të gjitha mesazhet e ngushëllimet. Shqipëria dhe populli shqiptar janë pranë nesh. Ne vërtetuam se çdo lloj terrori, ISIS, PKK dhe organizatat e tjera terroriste kurrë nuk mund të mbajmë qëndrime të ndryshme në lidhje me luftën ndaj tyre. Nuk mund të ketë organizata të mira dhe të këqija, qëllimi i tyre është të mbjellin vdekjen. Dua të bëj me dije qytetarët tanë për sigurinë në aeroporte dhe jam i detyruar t’u them se ato janë të sigurta. Pres nga qytetarët turq që të qëndrojnë larg komenteve dyshuese për sigurinë në aeroporte”, deklaroi Yildirim.

    Gjatë takimit të dy delegacioneve u fol për sfidat e përbashkëta në fushën e sigurisë dhe ekonomisë. Kryeministri turk u shpreh se, bashkëpunimi ekonomik me vlerë 3 mln dollarë do të shtohet edhe më tej, ndaj dhe biznesmenët turq punojnë për të lidhur kontrata bashkëpunimi në Shqipëri./DritaPress


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark