Samiti i "Kushteve të Reja" për Ballkanin - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Samiti i “Kushteve të Reja” për Ballkanin

    Insajderi
    03 July 2016 - 14:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Samiti i Liderëve të Ballkanit që do të mbahet të hënën në Paris, sipas medieve ndërkombëtare synim kryesor ka që BE-ja t’ia bëjë me dije se pas daljes së Britanisë nga BE-ja, krizës së shtuar së refugjatëve dhe rritjes së ekstremizmit në shtetet e Ballkanit i ndryshojnë edhe rregullat e lojës për anëtarësim në BE

    Ministrat e Jashtëm të Italisë, Francës dhe Gjermanisë do të takohen të hënën në Paris me disa kolege të tjerë evropian në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor në të cilin do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

    Përderisa vet kryeministri i vendit nuk ka dhënë ndonjë deklaratë lidhur me temat e këtij Samiti, mediat ndërkombëtare shkruajnë se tema kryesore do të jetë dalja e Britanisë nga BE-ja por më shumë se kaq, ndikimi i referendumit britanik në BE në raport me politikën e zgjerimit në Ballkan.

    “Samiti do të ketë në agjenci një seri të diskutimeve për Brexit dhe krizën e emigrantëve”, shkruan gazeta italiane “Corriere della Sera”, raporton Insajderi.

    Kosova ka qenë kundër largimit të Britanisë nga BE-ja. Madje presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, para se të mbahej referendumi në Britani pati deklaruar se nëse Britania del nga BE-ja, “mund të themi që kemi të bëjmë me përmbyllje të këtij procesi të Bashkimit Evropian dhe nisje të një të riu – me pasoja për shumë vende, sidomos për ato ballkanike”

    “Do të kemi referendume në vende të njëpasnjëshme të vendeve për të dalë nga BE’ja. Kështu nuk mund të mendohet për zgjerim dhe problemet në Ballkan do të thelloheshin”, kishte thënë Thaçi për Klan Kosovën, por pa treguar se cili do të jetë qëndrimi zyrtar i shtetit nëse planet e BE-së në Ballkan do të ndalen pas Brexit.

    Ndërsa vet kryeministri Mustafa pas referendumit kishte deklaruar se Brexit nuk do të ndikoj në politikat e BE-së në raport me Ballkanin dhe Kosovën. Kosova është i vetmi shtet në këtë Ballkan që pret fillimisht të fitoj liberalizimin e vizave, teksa vendet e tjera si Shqipëria, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi po bëjnë përpjekjet e tyre për anëtarësim në BE.

    Ministri i Jashtëm italian, Paolo Gentiloni, duke folur për “Reuters”  tha se Samitit do t’i bashkëngjitet edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikat e Jashtme dhe të Sigurisë, Federica Mogherini.

    Krejt kjo ka një arsye.

    “Arsyeja pse Mogherini i bashkohet këtij Samiti këtë herë është e veçantë. BE dëshiron ta vë në theks të veçantë rolin e Ballkanit në krizën e refugjatëve sirian dhe irakian pasi është rruga transit e tyre deri në Evropë dhe lufta kundër terrorizmit”, shkruan AFP.

    Kosova nuk është e prekur nga kriza e refugjatëve nga Lindja e Mesme, por ka prekur Evropën me refugjatët nga Kosova, raporton Insajderi.

    Shumë vende të BE-së që janë pjesë e këtij Samiti, që nis të hënën, kanë probleme me refugjatët që vijnë nga vendet e Ballkanit, sidomos me ata nga Kosova.

    Vendosja e Kosovës në listën e vendeve të sigurta ka bërë që afro 200 mijë refugjatë që kanë lëshuar Kosovën  në dy vitet e fundit, të mos kenë mundësi që të fitojnë azilin në vendet e BE-së.

    Shpresat e tyre janë shuar sidomos pas intensifikimit të refugjatëve nga Siria.

    Gazeta italiane citon një burim në Ministrinë e Jashtme të Italisë të ketë thënë se në fakt pika më e nxehtë e këtij takimi do të jetë diskutimi mbi atë që “rajoni i Ballkanit Perëndimor po konsiderohet si pikë hyrëse e luftëtarëve të huaj të ISIS-it dhe tokë pjellore e xhihadistëve që ikin të luftojnë në Siri dhe Irak”, raporton Insajderi.

    E në këtë pikë, kryeministri kosovar ka shumë çfarë të flas. Kosova renditet pas Bosnjës si vendi që prodhon më së shumti xhihadist për ISIS-in.

    Sidomos këto muaj, Kosova në mediat ndërkombëtare është portretizuar si një nga çerdhet e luftëtarëve të ISIS-it të sponsorizuar nga fondet e shteteve të Arabisë Saudite. Por në të njejtën kohë, shteti ka arrestuar një numër të madh të imamëve dhe njerëzve të përfshirë në përhapjen apo nxitjen e rekrutimin në ideologjinë ekstreme të ISIS-it.

    Ajo çfarë dihet sipas medieve ndërkombëtare është se BE-ja do të bëhet tepër e qartë në një mesazh të sajin: se Evropa nuk mund të zgjerohet me shtete të cilat kanë probleme me refugjatë dhe rrezik nga ekstremizmi./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark