2 shkurti i 1990-tës shënon nisjen e aksionit atdhetar dhe humanitar për faljen e gjaqeve.
Në krye të kësaj u vu atdhetari, Anton Çetta.
Kjo iniciativë shpejt mori përmasa të gjëra, duke u përhapur në krejt vendin.
1990-ta konsiderohet edhe si viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë.
Njerëzit në atë kohë në krye Anton Çettën, marshonin para qindra ekipe profesorësh, studentësh, aktivistësh, këngëtarësh e poetësh…pajtonin popullin, pajtonin ata që deri dje ishin armiq, për tu bërë miq e vëllezër. Heronjtë e këtij aksioni kombëtar, padyshim ishin ata që falnin.
Faleshin për hatrin e atdheut. Në këto tubime madhështore që organizoheshin anë e mbanë Kosovës e trojeve tjera etnike, si në Kaçanik e Lug të Drinit, Rrafsh të Dukagjinit e n´Verra të Llukës, Shalë e Karadak, Llap, Drenicë e Gollak, Has, Rekë, Podrime, Lapushë, Podgur e Rugovë, Rrafsh i Kosovës dhe kudo në viset tjera, tregonte se për popullin tonë e atdheun kishte krisur ora më e madhe e historisë sonë. Falje të gjaqeve vazhdojmë të kemi edhe tani.