Në probleme të mëdha financiare, kompania regjionale e grumbullimit të mbeturinave “Pastrimi” ka financuar vet një punë prej 350 mijë eurosh. Do të blejë 10 kamionë. Ama, ata të jenë të përdorur deri në 350 mijë kilometra të kaluara. E këtë tender, pasi që një herë u anulua, si garues i vetëm e fitoi biznesmeni Kushtrim Llabjani nga Ferizaj. I njëjti shoqërohet me deputetin e PDK-së nga ky qytet, Elmi Reçica, dhe ka fotografi edhe në parti me të. E, ndërmarrja “Pastrimi” drejtor e ka Petrit Reçicën.
Visar Duriqi
Në nëntor të vitit 2023 ndërmarrja regjionale për grumbullonin e mbeturinave, “Pastrimi” kishte marrë iniciativën për të blerë 10 kamionë- nevojat e punës së tyre të përditshme.
Kamionët po i kërkonte që të ishin të përdorur, që të dilnin më lirë në çmim, pasi që për këtë punë do të paguante vet- jo ndonjë donacion.
Tenderi i parë ishte anuluar, e edhe Organi Shkretues i Prokurimit (OShP) pati një vendim që gjeti se njëra kompani kishte të drejtë kur u ankua e tjetra jo.
E njëjta punë në shtator të këtij viti u ri-tenderua nga “Pastrimi”. U parapa një buxhet prej 450 mijë eurosh- për 10 kamionë të përdorur.
Procedura ishte e hapur, por në njoftimin ku u bë e ditur se “Pastrimi” ka nënshkruar kontratën prej 350 mijë eurosh përmendet që në garë ishte veç një komani, më saktë një konzorcium, por nuk pati garues tjetër.
Hulumtimi i Insajderit ka zbuluar se konzorciumi që e mori këtë punë del të jetë i drejtuar bash nga kompania që OShP-ja në vendimin ia kishte refuzuar ankesën dhe madje ia kishte konfiskuar paratë që duhet ti lë si garancion kur ankohet. Nuk ka njoftim shtesë nëse paratë i janë kthyer.
Por, kush është biznesmeni që drejton grupin e kompanive që fitoi këtë tender?
Kushtrim Llabjani është një biznesmen nga Ferizaj.
Ai është ortak në firmën “LEDI SH.P.K.” dhe një pjesë të aksioneve në këtë kompani i ka edhe Zekrija Kamberi. Kjo firmë është liderë e konzorciumin me të cilën mori 350 mijë euro nga “Pastrimi”, për 10 kamionët e përdorur.
Llabjani ka në pronësi edhe 51 përqind të aksioneve në firmën “Going Green Solutions SH.P.K” në ortakëri me Lum Gashin dhe është aksionar i vetëm në “N.T.P. ” NOA”.
Ai po ashtu është i punësuar në një institucion publik shëndetësor në Ferizaj, derisa si sekondare merr edhe një pagë nga firma e ndërtimeve “DAAKONN SH.P.K” nga Ferizaj.
Por, ky biznesmen që ka firmë të vetën dhe aksione në dy firma të tjera, shoqërohet edhe me deputetin e PDK-së nga Feriaj, Elmi Reçica.
Në njërën prej fotografive që ka siguruar Insajderi, biznesmeni Kushtrim Llabjani është bashkë me deputetin Reçica në një ambient partiak- me llogot e PDK-së mbrapa.
Aktualisht, kompaninë “Pastrimi” që edhe publikisht ka bërë kumtime që është në vështirësi financiare dhe se tenderi i ri i Komunës së Prishtinës për të angazhuar firma private në fushën ku ata punojnë e rrezikon edhe më, drejtohet nga Petrit Reçica.
Gazeta Insajderi e ka pyetur Drejtorin Reçica për afërsinë eventuale me deputetin Reçica, por i njëjti deri tash nuk është përgjigjur dhe njëjtë ka vepruar edhe deputeti Elmi Reçica që nuk është përgjigjur deri tash në pyetje që ia ka dërguar Insajderi.
As vet biznesmeni që përmendet në njoftimin për nënshkrim të kontratës, Kushtrim Llabjani nuk ka dërguar deri tash përgjigje edhe pse Insajderi e ka pritur për më shumë se një javë.
Dyshime për kriteret, “Pastrimi” nuk i jep qasje Insajderit
Hulumtimi i Insajderi ka zbuluar se qysh kur u nis ky tender , kompanitë në garë kishin dyshime për kriteret që vendosi Kompania “Pastrimi”.
OShP-ja madje në vendimin e tenderit të parë i kishte dhënë pjesërisht të drejtë kompanisë “Agri Bau SH.P.K.
Sinjalizues të Gazetës Insajderi kanë bërë me dije që edhe kur u ri-shpall ky temder ka dyshime se kriteret nuk ishin të rregullta, por për ri-tenderimin nuk ka pasur ndonjë ankesë të deponuar në OhP pasi që në garë mbeti vetëm një konzorcium ai i drejtuar nga “LEDI SH.P.K.”.
Këto burime i kanë thënë Insajderit madje që ka dyshime edhe për vet dokumentet e 10 kamionëve që janë kontraktuar prej “Pastrimit” nga firma e Kushtrim Llabjanit, por deri tash, edhe pse ka kërkuar, Gazetës Insajderi nuk i është dhënë qasje në dokumente nga ana e kësaj ndërmarrje publike dhe madje as arsyetim se pse nuk është lejuar qasje në dokumentet e përfituesit të 350 mijë eurove.
Por, ajo që dihet është se kamionët janë të vjetër. Kriter ka qenë që të jenë të prodhuar minimumi në vitin 2007, por nuk është sqaruar se nëse të njëjtat importohet nga jashtë si do të zhdoganohen e regjistrohen në Kosovë.
Kjo, pasi që nga 1 janar 2024 në Republikën e Kosovës nuk mund të zhdoganohen vetura më të vjetra se viti i prodhimit 2014. Qeveria e Kosovës në vitin 2017 kishte miratuar një ligj, i cili thotë se “mjetet rrugore që importohen në Kosovë, nuk mund të jenë më të vjetra se 10 vjet”.
Kritere tjetër për këta 10 kamionë të vjetër e të përdorur që “Pastrimi” i bleu nga “LEDI SH.P.K.” ishte që ato lejohen maksimumi të kenë edhe deri në 350 mijë kilometra të kaluara.
Për një pjesë të kamionëve është kërkuar që të jenë 5-7 tonë, e për një pjesë tjetër 9-11 tonë, por Gazetës Insajderi nuk i është dhënë qasje për të parë librezat e kamionëve që ka ofertuar konzorciumi fitues i drejtuar nga “LEDI SH.P.K.” nëse ata të gjithë i plotësojnë kriteret.
Ditë më parë Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Besart Krasniqi, ka thënë se Komuna e Prishtinës është duke e çuar drejt falimentimit ndërmarrjen publike “Pastrimi” dhe rrjedhimisht po i lë pa punë mbi 900 punëtorë.
Në konferencë për media, Krasniqi ka folur për thirrjet për një kontratë kornize 3-vjeçare nga Komuna e Prishtinës, në vlerë 16.5 milionë euro, për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.
Në krejt këto kohë vështirësish financiare, “Pastrimi” me vetëfinancim ndau 450 mijë euro, e dha kontratë prej afro 350 mijë eurosh për të blerë 10 kamionë të përdorur, që lejohet madje të jenë edhe të prodhuar në vitin 2007 e të kenë të kaluar deri në 350 mijë kilometra/ Gazeta Insajderi.