Një 36-vjeçar ka humbur jetën në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Podujevë. Ai po dyshohet se ka ndërruar jetë gjatë marrjes së një infuzioni pasi ishte prekur nga gripi sezonal. Lidhur me këtë rast, është deklaruar Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Në një përgjigje për Insajderin, kjo prokurori ka konfirmuar se është marrë vendimi për kryerjen e autopsisë, por nuk ka dhënë detaje të tjera.
“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se prokurori kujdestar ka marrë vendim për kryerjen e autopsisë dhe, duke marrë parasysh që jemi në fazën e hershme të hetimeve, për momentin nuk mund të ofrohen më shumë informata lidhur me këtë rast“, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.
Gazeta ka mësuar se viktima është 36-vjeçari Fatlum Ahmeti.
Familjarët e viktimës kanë deklaruar se ai nuk ka pasur ndonjë problem tjetër shëndetësor, përveç gripit.
Në raportin 24-orësh të policisë është raportuar vdekja e një personi në Podujevë, ku thuhet se ekipi mjekësor e ka konstatuar vdekjen e viktimës.
“Lidhur me rastin e lartcekur ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës mashkull kosovar dhe më pas me urdhër të prokurorit kompetent trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.
Rasti në fjalë është cilësuar nga policia si “Hetim i vdekjes”.
Lexo edhe: