Sulmuesi adoleshent që vrau 9 persona dhe plagosi 27 të tjerë, ishte i fiksuar pas të shtënave masive dhe kishte hakuar disa profile në rrjetin social Facebook, për të nxitur persona të caktuar që të vinin në McDonald’s ditën e premte, në kohën kur ai planifikonte ta bënte sulmin.
Kështu thonë raportet policore mbi rastin e ndodhur të premten kur 18-vjeçari me origjinë iraniane vrau të rinjtë e tjerë, tre prej tyre nga Kosova.
Robert Heimberger, kreu i policisë kriminale në Bavari ka thënë për mediat gjermane se personi që vrau 9 të rinj në një qendër tregtare në Munih, kishte hakuar profile të ndryshme të vajzave dhe gjithashtu kishte krijuar profile të rreme, për t’i dërguar personave të caktuar oferta nga lirimet në McDonald’s ditën kur ndodhi akti.
“Kemi gjetur se personi në fjalë, ka pasur shumë llogari në Facebook, nëpërmjet të cilave në ditën e krimit, u ka dërguar në mesazhe oferta për lirime dhe ushqime falas në McDonalds”, ka thënë Heimberger./Insajderi.com.