
396 euro kompensim për shpenzimet e terapisë për Covid-19, ka kërkuar nga shteti burri i presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu. Pas kësaj kanë shpërthyer shakatë e ironitë nëpër rrjetet sociale.
Analisti, Valon Syla ka reaguar pas kërkesës së zotëriut të parë. Përmes një shkrimi në Facebook ai shkruan “Hamburger me 2 vo dhe faktura të Covidit… 396 Euro… ju boftë mirë”.
Gjatë ditës është raportuar në media se i ngarkuari me punë në Ambasadën e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Prindon Sadriu, kishte marrë nga buxheti i shtetit afro 400 euro (396 euro e 80 cent) si rimbursim të pjesshëm të shpenzimeve për trajtimin e virusit COVID-19.
Sipas raportimit të portalit Demokracia.com, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, kundërligjshëm, ia kishte aprovuar edhe kërkesën për mbulimin e pjesshëm të shpenzimeve për trajtimin e infektimit me COVID-19.
Në dokumentet e publikuara, kërkesa për rimbursim është bërë më 22 dhjetor 2020.