Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin terrorist në Banjskë.
Prokurori i rastit, Naim Abazi, ka thënë se të akuzuarit janë të përfshirë në vepra të tjera penale sikurse shëplarja e parave. Ai ka bërë të ditur se i akuzuari kryesor është kryeterroristi Milan Radoiçiq, shkruan Insajderi.
“Shpëlarje parash, përdorim i teknologjive të avancuara për përfshirje në aktivitete kriminale nga ana e të akuzuarve. Megjithatë, përkushimi ynë për ta ndriçuar këtë rast ka qenë shtytësi kryesor që na ka mundësuar ta tejkalojmë… Aktakuza përfshin 45 persona që kanë pasur role të ndryshme brenda këtij grupi kriminal, duke filluar nga organizimi, drejtimi i aktiviteteve terroriste deri tek shpëlarja e parave”, bëri të ditur në konferencë ai.
“Ndër të akuzuarit kryesor është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit, Milan Radoiçiq, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale. Në kuadër të kësaj, kemi bërë dhjetëra kërkesa për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, duke përfshirë vendet e Bashkimit Evropian, SHBA dhe shtete të tjera me të cilat kemi arritur të zbulojmë dëshmi të rëndësishme. Këto kërkesa kanë qenë thelbësore për të zbuluar financimin dhe për të siguruar prova të cilat ndihmojnë në ngritjen e kësaj aktakuze të fuqishme”, shtoi tutje Abazi.
“Përgjatë këtij procesi, kemi realizuar sekuestrimin që përfshijnë pasuri të luajtshme dhe pasuri të paluajtshme që përfshijnë prona, automjete të blinduara, para të gatshme dhe llogari bankare të cilat dëshmojnë se janë krijuar nga aktivitete të paligjshme dhe janë konfiskuar 1266 armë dhe pajisje të tjera”
“Sa i përket veprës penale të shpëlarjes së parave, kemi zbuluar se fondet janë transferuar nëpërmjet rrjeteve të ndikuara financiare, duke përfshirë biznese të regjistruara në emër të personave të tretë dhe investimi në pasuri të paligjshme”. /Insajderi.org/