"45 të dyshuar për sulmet e dhunën në Veri", kryeministri Kurti jep detajet - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “45 të dyshuar për sulmet e dhunën në Veri”, kryeministri Kurti jep detajet

    Insajderi
    03 July 2023 - 13:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, deklaron se deri më tani organet e sigurisë kanë identifikuar 45 persona të dyshuar për sulme e dhunë në Veri, ndaj KFOR-it, policisë e gazetarëve.

    Kurti tha para gazetarëve se këta persona kanë përdorë edhe granata të dorës, shok-bomba por edhe plumba.

    Gjithashtu foli edhe për veturën me targa të Beogradit që u kap me një sasi municioni në Veri dhe tha se del të jetë që vetura “paska qenë i udhëheqësit Paviqeviq të “Brigadës Veriore”.

    “Deri më sot janë identifikuar gjithsej 45 persona që kanë marrë pjesë në sulme e dhune kundër ushtarëve të KFOR-it, policisë e gazetarëve, por edhe që kanë përdorur armë, ju e patë çfarë armatimi u konfiskua me 23 qershor me automjet me targa të Beogradit që i përket Ndërmarrjes Publike të Hekurudhave të Serbisë dhe që paska qenë i udhëheqësit Paviqeviq, të “Brigadës Veriore”, që u shpall organizatë terroriste së bashku me të aushtuquajturën “Mbrojtje Civile”, u shpreh Kurti.

    Kryeministri Kurti tha se popullsia serbe është paqësore, dëshiron jetë të mirë, por janë dhjetëra të tjerë të spikatur.

    “Janë këta dhjetëra kriminelë të spikatur, dhe 45 prej të cilëve janë identifikuar saktë nga organet tona të sigurisë dhe kjo nuk do të thotë që nuk ka më shumë, por minimumi është 45, e as çereku i tyre nuk janë në burg për këtë arsye e kemi këtë situatë”, u shpreh Kurti.

    Ai tha se qytetarët serbë janë të frikësuar nga këta kriminelë.

    “Qytetarët serb janë më të frikësuarit nga këta kriminelë, të cilët na dërgojnë informacion mbështetës e përkrahës çdo herë kur vepron ligji sepse ata e dinë që Policia e Kosovës, është profesionale . Ata na njoftojnë me mesazhe që nuk frikësohen nga Policia e Kosovës, por nga trysnisë, shantazhit, zullumit, kërcënimeve të këtyre kriminalëve të organizatave që u shpallën terroriste”, tha Kurti.

    Në mbledhjen e Qeverisë, javën e kaluar janë shpallur organizata terroriste “Mbrojtja Civile” (Civilna Zastita) dhe “Brigada e Veriut” (Severna Brigada) – organizata këto që operojnë në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe – duke thënë se ato janë përgjegjëse për tensionet e fundit në këtë zonë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark