Piktura e mjeshtrit holandez Vincent van Gogh, “Barkat e peshkatarëve”, do të nxirret në ankand në fund të shtatorit, për herë të parë në 30 vjet dhe pritet që të arrijë çmimin prej 50 milionë dollarëve.
Ankandi do të mbahet me rastin e hapjes së degës së “Christie’s” në Azinë Qendrore, më 26 shtator në Hong-Kong.
Peizazhi “Les canots amarrés” kaherë ka qenë në pronësi të familjes mbretërore Bourbon- Dy Sicilitë, e cila këtë vjeshtë heq dorë nga vepra madhore, ka shkruar “Artnet”.
Vepra është realizuar në vitin 1887 gjatë qëndrimit disavjeçar të Van Goghut në Paris.
Një gamë e gjerë traditash artistike e frymëzuan rrugën krijuese të Van Goghut
Atë vit, Van Goghu e kaloi verën në periferi të Parisit dhe kapi peizazhet e lumenjve të zonës, duke përfshirë barkat, plazhet dhe shumëçka tjetër.
Një gamë e gjerë traditash artistike e frymëzuan rrugën krijuese të Van Goghut. Qasja e Van Goghut u ndikua nga impresionizmi dhe pointilizmi. Në këtë kuptim, gjuha e tij artistike hapi shumë dyer për artistët që do të pasonin në shekullin e ardhshëm.
“‘Barkat e peshkatarëve’ është e njohur për ngjyrat mahnitëse dhe lëvizjet e ndërlikuara të penelit, karakteristikë e stilit unik të Van Goghut, duke e bërë atë një vepër të jashtëzakonshme në çdo koleksion”, ka thënë Jackie Ho, nënkryetare e Departamentit të Artit të Shekullit XX dhe XXI në “Christie’s Asia Pacific”.