Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, e ka quajtur qesharake marrëveshjen e biznesmenit Habib Morina me ish-vartësit e shtetit, që prona shtetërore të paguhet vetëm 500 euro në muaj për 25 ari tokë në mënyrë që Morina të zhvillojë aktivitetin biznesor.
Peci këtë e ka deklaruar në konferencën për media të hënën, të mbajtura pranë dy pronave, për të cilat është kërkuar edhe asistenca e policisë për lirimin e tyre, shkruan Gazeta Insajderi.
“Në rast se i referohemi aksionit që është ndërmarrë të premten, Ministria e Bujqësisë planifikon këtë vit të fillojë ndërtimin e objektit të Ministrisë së Bujqësisë. Bizneset janë jashtë kontratave. Kontratat kanë qenë qesharake, sepse të ushtrosh veprimtari në mbi 25 ari tokë dhe të kompensosh 500 euro është vlerë qesharake”, ka deklaruar ai.
Insajderi ka raportuar për kontratën e dyshimtë të biznesmenit Morina me shtetin, për zonën kadastrale që gjendet në hyrje të Prishtinës. Morina përveç që po shet naftë, ai e ka shndërruar edhe në restaurant atë hapësirë. Krejt këto, ai po i bën duke ia paguar vetëm 500 euro në muaj qira shtetit.
Peci tutje ka thënë se deri më tani, Ministria e Bujqësisë në kohën e udhëheqjes së tij deri më tani ka deponuar 400 dosje. /Insajderi.org/