E nominuara demokrate për presidente amerikane, Hillary Clinton, e ka përshëndetur armëpushimin në Siri, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, por tha se suksesi i armëpushimit varet “nga rusët”.
“A do të funksionoj kjo apo jo, realisht varet nga rusët”, u tha Clinton gazetarëve në Karolinën Veriore dhe ka shtuar se “varet nëse Vladimir Putin do të vendos apo jo se është koha për ta bërë atë që rusët mund ta bëjnë për ta përfunduar këtë konflikt, duke hyrë në periudhën ku do të ketë fillim të procesit të diskutimeve, për një zonë mbrojtëse shpresdhënëse për njerëzit të cilët janë nën sulm të pamëshirshëm nga ajri dhe nga përkushtimi për t’i ndjekur grupet terroriste që paraqesin kërcënim për secilin”.
Pajtueshmëria për armëpushim, e arritur javën e kaluar ndërmjet sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, dhe ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov, parashihet ta ndalë luftën civile për një kohë të mjaftueshme, që të dy fuqitë të sigurojnë dërgim të ndihmave humanitare, t’i rifillojnë bisedat e ndalura për paqe dhe të fokusohen në sulmet ajrore kundër ekstremistëve islamikë, që kanë krijuar avantazh nga kaosi i krijuar nga lufta.