Intervistë e Umberto Ecos dhënë të përditshmes italiane “Il Giornale”, më 8 janar të vitit 2015.
Por, në lidhje me kushtet prej ku buroi atentati i Parisit ka ç’të thotë që çke me të. “E sigurtë është se kanë ndryshuar modalitetet e luftës”, thotë Eco.
“Po zhvillohet një luftë dhe ne jemi brenda saj deri në fyt, ashtu sikurse kur unë isha i vogël dhe i jetoja ditët e mia nën bombardimet që mund të vinin nga një moment në tjetrin, pa e ditur. Me këtë lloj terrorizmi, situata është ekzaktësisht si ajo që kemi përjetuar gjatë luftës”.
Romani i ri i Ecos, Numri Zeri, që pritet të dalë sot, hyn në kategorinë e fantapolitikës edhe pse përqendrohet në të kaluarën e afërt (sezoni i Duarve të Pastra) dhe jo në një të ardhme të afër, si romani i Houllebecq.
Dhe nuk janë gazetarët kurajozë të revistës satirike Charlie Hebdo, por të tjerë lloje gazetarësh, shumë më pak të nderuar. Edhe buja që ka shkaktuar një libër, si “Nënshtrimi”, sigurisht që nuk është e paprecedentë: “Në historinë e njerëzimit e kemi parë shumë herë. Edhe dënimi me vdekje i Salman Rushdie, për librin e tij Vargjet Satanikë lidhej me një roman… Dhe nuk ishte risi as atëherë. Njerëzit janë masakruar gjithmonë për një libër: Bibla kundër Kur’anit, Ungjilli kundër Biblës etj.
Luftërat e mëdha kanë shpërthyer prej feve monoteiste për një libër. Keni parë ndonjëherë animistë që janë përpjekur të pushtojnë botën me armë? Janë fetë e librit që provokojnë luftëra për të imponuar idenë që përmbajnë tekstet e tyre. Luftërat pagane ishin të gjitha lokale.
Ndoshta pak edhe ato romake… Por kartagjenasit luftuan për arsye tregtare, dhe jo për të imponuar kultin e Astartit”. Umberto Eco ka shkruajtur romane dhe libra, që nga “Emri i Trëndafilit” deri tek më i fundit “Histori e tokave dhe vendeve legjendarë”, që ka në qendër fantazitë perverse (dhe të dhunshme) të shkaktuara nga disa vepra, letrare apo jo, që ndoshta në krye të herës nuk aspironin të paraqiteshin si të vërteta absolute: “Ka dy mijë vjet – thotë – që marrim seriozisht “Eneidën”: Augusti na ka vendosur mbi themele pretendimesh të rëndësishëm. Ka me qindra tekste që janë shndërruar në fantazma të rrezikshme, mbi të gjitha për shkak të atyre që nuk i kanë lexuar”.
A e ndan Eco analogjinë e përshkruar nga Emmanuel Carrere, autor i romanit “Mbretëria” (ngjarjet zhvillohen në dekadat e fillimit të Kristianizmit), një analogji mes kohës që kalojmë dhe epokës që çoi nga qytetërimi greko-romak, tek ai judeo-kristian? “Më duket e pranueshme, ndodh ajo që fatkeqësisht ka ndodhur gjithmonë, vetëm se tani jemi edhe ne brenda… Tridhjetë vjet më parë kam shkruajtur një artikull, ku thoja se ndodheshim përballë jo më një emigrimi si ai i italianëve në Amerikë apo në Zvicër, por një migrimi, dhe migrimet janë globalë, janë shumë të përhapur në hapësirë dhe zgjasin shumë. Që atëherë shkruaja se deri kur të mbërrinim në një ekuilibër të ri, do të derdhej shumë gjak. Qytetërimi perëndimor, e ka apo jo forcën për të qëndruar, por gjendet
përballë një procesi kolosal migrimi, ashtu si i ndodhi Romës shumë shekuj më parë”. Paradoksi për të cilin flet Houellebecq është që bota myslimane nga pikëvështrimi social është më pranë të djathtës ekstreme, e cila dëshiron ta shtyjë me të gjithë forcat.
“Nuk më duket e drejtë që të flitet me përgjithësi duke thënë “myslimanë”, ashtu si nuk do të ishte korrekte të gjykonim Krishtërimin mbi bazën e metodave të përdorura nga Cesare Borgia. Por sigurisht që mund të thuhet për ISIS-in, që është një formë e re nazizmi, me metodat e veta të shfarosjes dhe vullnetin apokaliptik për të marrë kontrollin e botës”.
Perspektiva që qytetërimi perëndimor në krizë, të bëhet aleat me vende arabë, a është thjeshtë një fantapolitikë romanesh? “Shkrirja në një e qytetërimeve është një gjë që mund të ndodhë falë migrimeve. Kur në Itali të ketë 50 milionë jashtëkomunitarë dhe 10 milionë italianë, do të ndodhë ndoshta ajo që ka ndodhur dy mijë vjet më parë. Në fund të fundit ka ndodhur më parë në Azi dhe gjetkë: mongolët në Kinë etj”.
Nuk mund të mohohet që është një version i cili shkakton frikë, kur e mendon sot: “Eshtë e qartë se të gjithë ndryshimet e mëdhenj na terrorizojnë. Shikoni, mua pak vite jetë më mbeten, por kam nipër, dhe uroj që të mësojnë të jetojnë me këto perspektiva. Pastaj, nuk do të ishte aq terrorizuese të imagjinonim një outlet në vend të Duomos, për shembull”. Ky është një vizion që edhe mund të materializohet: “Sigurisht, dhe ka nga ata që me siguri do të kënaqeshin”.
Marrë nga Bota.al