"53 milionëshi" - Apeli e kthen në rigjykim rastin e Pal Lekajt dhe të tjerëve - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “53 milionëshi” – Apeli e kthen në rigjykim rastin e Pal Lekajt dhe të tjerëve

    Insajderi
    27 February 2025 - 16:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata e Apelit ka marrë vendim për kthimin në rigjykim të rastit të njohur si “53-milionëshi”, duke anuluar dënimin e mëparshëm të shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, shkruan Insajderi.

    Me këtë vendim, Apeli ka aprovuar si të bazuara ankesat e mbrojtjes dhe ka urdhëruar rigjykimin e çështjes në Departamentin Special të Gjykatës Themelore.

    “APROVOHEN si të bazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve Pal Lekaj avokat Artan Qerkini, Nebih Shatri avokat Florent Latifaj, Eset Berisha avokat Afrim Salihu, Besim Tahiri avokat Urim Vokshi, dhe ankesa e vet të akuzuarit Eset Berisha, e sipas detyrës zyrtare, ANULOHET aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamenti Special PS.nr4./2022 të datës 31.01.2024, dhe çështja penale kthehet në rigjykim dhe rivendosje”, thuhet në vendimin e Apelit.

    Më 31 janar 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur vendimin e saj, ku Pal Lekaj u dënua me 3 vite e 8 muaj burgim, Eset Berisha me 3 vite e 3 muaj burgim, ndërsa Nebih Shatri dhe Besim Tahiri me nga 1 vit e 8 muaj burgim.

    https://insajderi.org/it/denimi-i-pal-lekajt-prej-3-vite-e-8-muaj-burgim-reagon-avokati

    Po ashtu, ndaj tyre ishte shqiptuar ndalim i ushtrimit të funksioneve publike për periudha të ndryshme.

    Të akuzuarit ngarkohen nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me ndarjen e 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel & Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit.

    Vendimi i Apelit për kthimin në rigjykim nënkupton se procesi do të rifillojë, duke u shqyrtuar përsëri provat dhe argumentet e palëve.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark