Deklarata e Presidentes Osmani që nënkupton se ‘librat s’janë gjithçka për arsimim’, mund ta nervozojnë kryeministrin Albin Kurti i cili shquhet për referencë në libra, ndërkohë, mund t’i pëlqejnë vajzës time 8 vjeçare, që ende nuk i ka shumë për qejf librat. Sidoqoftë, çka kanë të përbashkët Rrahman Jasharaj dhe Arbërie Nagavci? I kanë 580 mijë orë të humbura mësim për fëmijët, vetëm për shtatë ditë…
Shkruan: Dafina Demaku
Mëngjesin e sotëm shpërthyen klishetë rreth arsimit dhe librave të mbështjella me deklarata ‘kringjioze’.
Për shembull, fjalia “…arsimimi nuk ka të bëj vetëm me libra dhe teste’ e Presidentes Osmani, do t’i dukej e mirë vetëm vajzës time në klasën e tretë që nuk e do shumë Matematikën dhe librat – një herë për një herë – në përgjithësi.
Kjo deklaratë, do të dukej interesante sikur të vinte nga ndonjë kryeministër a president i vendeve skandinave ose të tjera, shumë të përparuara në arsim konform zhvillimeve teknologjike.
Sikur shkollat tona të ishin të pajisura me printerë të mjaftueshëm, e të ishin shkolla të digjitalizuara, ku në vend të 16 librave për klasën e parë të kishte vetëm një tablet, deklarata e Presidentes do të dukej interesante, transformative e çka mos tjetër që përkon me zhvillimet e fundit të hovshme teknologjike.
Por, derisa është e kundërta, kjo deklaratë duket vetëm si shfajësim dhe krye shëndosh për prindërit në siklet (dhe vajzës time që ende s’i ka aq në qejf librat :P) ndaj tollovisë që ka shkaktuar partneri i saj politik, Albin Kurti.
Sipas ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, i gjithë shtatori mund të shkojë me përsiatjen teknologjike të prindërve kosovarë në e-Kosova, për t’i marrë paratë e premtuara si subvencion për libra.
“…aplikimi do të jetë i hapur gjatë gjithë muajit shtator në mënyrë që të sigurohemi që asnjë nxënës për çfarëdo arsye të mos mbetet pa tekste shkollore”, shkruan ministrja Nagavci.
Çka nënkupton kjo?
Personalisht, këtë muaj nuk i kam punët aq mirë me para, ani pse kam pagë mbi rrogën mesatare në Kosovë. Më duhen 160 euro për ta mbuluar shpenzimin që Qeveria na e hodhi. Ngjashëm e pashë që i kishte punët edhe z.Agron Demi.
“Unë, që e paguhem mbi rrogën mesatare në Kosovë, nuk i kam 80 euro në fund të muajit”, shkruan z.Demi.
Çka nënkupton tutje kjo? Duke iu referuar ASK-së, z.Demi thotë se prej aty, del që 43% e popullsisë në Kosovë, nuk mund të përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 euro.
Për ta elaboruar më thjeshtë: shumica prej prindërve, sot i kemi dërguar fëmijët pa libra në shkollë. Me gjasë, ka prej atyre që mund t’i zë krejt shtatori pa libra. Por, këtë e arsyetoi ministrja Nagavci me fjalinë që cituam më lart.
Vitin e kaluar, nxënësit patën humbur krejt shtatorin si pasojë e grevës në arsim. I kryelinçuari si pasojë e asaj greve, zoti Rrahman Jasharaj, akuzohej nga ministrja Nagavci, se ua ka humbur nxënësve 580.000 orë, për vetëm shtatë ditë mungesë në shkollë.
Sipas tollovisë që e po e shohim dhe shumë prej nesh po e përjetojmë si prindër me librat, ka shumë të ngjarë që – minimum – krejt java tjetër të shkojë pa libra për fëmijët tonë.
Dhe këtu, barazohen mëkatarët: 580 mijë Rrahman Jasharaj, 580 mijë Arbërie Nagavci.