Ishte viti 2017, komuna e Gjilanit udhëhiqej prej Lufti Hazirit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Atë kohë Haziri ndau 6.2 milionë euro për ndërtimin e “Stadiumit te Gjilanit”, shkruan Insajderi.
“Gjilani ka traditë të futbollit dhe ky projekt do të jetë krenari e madhe e qytetit dhe e sukseseve të klubeve sportive”, tha në ditën kur u nënshkrua kontrata Haziri.
Por, edhe pse kanë kaluar 5 vite, futbolldashësit akoma nuk e kanë një stadium në Gjilan, kjo për shkak të ndërtimeve të ngadalësuara nga kompania fituese.
Kompania “Al Trade”, fituese e tenderit premtoi se do të ketë dinamik të punës, diçka që nuk rezultoi njejtë.
Pastaj më 15 maj të vitit 2020 ishte nënshkruar memorandum bashkëpunimi mes Komunës së Gjilanit dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për ndërtimin e stadiumit të qytetit.
Vlora Dumoshi e cila atëkohë mbante detyrën e Ministres së Kulturës dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, kishin nënshkruar memorandum bashkëpunimi për mbështetje financiare të projektit “Rikonstruktimi i Stadiumit të Gjilanit, Kategoria e IV”, projekt i cili do të implementohej gjatë viteve 2020-2022.
Sipas memorandumit, obligimet financiare 100% i merrte përsipër MKRS-ja dhe cakton organin mbikëqyrës të realizimit të projektit, ndërsa Komuna e Gjilanit do t’i zhvillojë procedurat e prokurimit dhe të dyja bashkë, MKRS-ja dhe Komuna, do të kujdesen për implementimin e projektit.
Investimi i Ministrisë së Kulurës, Rinisë dhe Sportit kapte shumën prej 4,6 milion euro, në rindërtimin e stadiumit të qytetit.
Domethënë, për stadiumin që nuk u ndërtua deri më sot, janë derdhur plotë 10 milionë e 800 mijë euro, shkruan Insajderi.
Kësisoj, që pritjes së gjatë t’i shtohen edhe disa vite të tjera, kryetari i tanishëm i Gjilanit, Alban Hyseni nga Vetëvendosje ka njoftuar se ka shkëputur kontratën paraprake për punën e stadiumit.
“Sot kemi ndërprerë kontratën për Stadiumin e Qytetit duke zhbllokuar kështu procesin dhe krijuar mundësinë për realizim sa më të shpejtë të projektit”, ka shkruar Hyseni në facebook.
I njëjti tha se pas verifikimit nga ekspertët, në kontratën e kaluar janë verifikuar shumë shkelje dhe se Qeveria do t’a mbështesë projektin e ri, shkruan Insajderi.
“Kjo analizë, e cila është mbështetur e verifikuar nga ekspert të mirënjohur te fushës së arkitekturës dhe prokurimit publik, ka rezultuar me gjetje të cilat na kanë obliguar të ndërpresim kontratën aktuale për shkak të shkeljeve të shumta që janë identifikuar”, shkroi Hyseni, përcjellë Insajderi.
Në anën tjetër, deputetja e Vetëvendosjes, Arbëreshë Kryeziu Hyseni në vitin 2021 u deklarua për çështjen e stadiumit, ajo tha se ndërtimet priten të përfundojnë në vitin 2022.
Por, viti 2022 tanimë ka pothuajse 8 muaj që kur ka filluar, pritet të shihet nëse Hyseni do e ndërtojë stadiumin deri më 31 dhjetor.
Postimi i plotë i deputetes:
STADIUMI PO BËHET!
Çështja e stadiumit të Gjilanit, ka qenë njëra nga çështjet për të cilat jam interesuar qysh nga fillimi i kësaj legjislature të dytë.
Pos që ka qenë interesim i imi, në të njejtën kohë ka qenë edhe kërkesë e tifozëve të të dyja klubeve në Gjilan, por edhe e të gjithë qytetarëve.
Interesimit tim, që në të njejtën kohë përfaqëson interesimin e secilit qytetarë të Gjilanit, i është përgjigjur ministri i Kulturës Hajrullah Ceku, ditë më parë.
Stadiumi i Gjilanit, është njëri nga projektet që po trajtohet me prioritet dhe ai pritet të përfundojë në vitin 2022. Ndër tjerash, kemi parë që ka filluar edhe intensifikimi i punimeve, në mënyrë që të përfundohet brenda afatit kohor të paraparë.
Mos të harrojmë që ky projekt është zvarritur qysh nga nëntori i vitit 2017. Nga ish-ministrja e qeverisë së kaluar ilegale, u patë thënë që do të finalizohet në 2023.
Por, fatmirësisht ky projekt ka hyrë në agjendë dhe vitin që vjen urojm që derbi më i zjarrtë në Kosovë, i klubeve më të mira të futbollit “Gjilani” dhe “Drita” të zhvillohet në stadiumin e ri dhe mëse të merituar. Në STADIUMIN e GJILANIT
Stadiumi përdoret nga dy skuadrat gjilanase SC Gjilani dhe FC Drita.