Presidenti francez Emmanuel Macron emëroi të enjten Michel Barnier, 73 vjeç, si kryeministër të ri të vendit.
Njoftimi i shumëpritur vjen rreth dy muaj pasi asnjë parti nuk fitoi shumicën e plotë në zgjedhjet e parakohshme, duke çuar në ngërç në negociatat se kush duhet të drejtojë qeverinë e Francës, raporton France 24, përcjell Insajderi.
Barnier është ish komisioner evropian dhe ish-ministër i jashtëm nga partia e qendrës së djathtë Les Républicains.
Ai shërbeu edhe si kreu i marrëdhënieve të Komisionit Evropian me Mbretërinë e Bashkuar dhe vlerësohet me negocimin e daljes së kësaj të fundit nga blloku, të njohur si BREXIT.
Emërimi i Barnier ka zemëruar tashmë politikanët e partive të majta, të cilët thonë se kreu i qeverisë duhet të pasqyrojë preferencën e qartë të votuesve francezë për Frontin e Ri Popullor të majtë.
Macron i kërkoi kryeministrit në largim Gabriel Attal të qëndronte në postin e tij për të siguruar stabilitet politik, veçanërisht pasi Franca priti miliona vizitorë për Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike 2024 në korrik dhe gusht. /Insajderi.org/