Rrëfimi pjesëtarit kosovar të grupit Al-Nusra - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Rrëfimi pjesëtarit kosovar të grupit Al-Nusra

    Insajderi
    02 March 2016 - 13:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sot është 27 vjeç, ka të përfunduar shkollën e mesme, është i pamartuar, praktikues i besimit islam dhe gjyshin e kishte pasur hoxhë.

    Tash në supe bart edhe luftën në Siri.

    Në maj të 2013-s, atëbotë 24 vjeç, vendosi të shkojë të luftojë për forcat opozitare siriane, me të vetmin qëllim – për të rrëzuar regjimin e presidentit sirian, Bashar Al Assad.

    Por, përfundoi duke luftuar përkrah grupit të njohur ndërkombëtarisht si terrorist Al-Nusra.

    Përmes rrjetit social Facebook thotë të ketë rënë në kontakt me një shqiptar, i cili e ka udhëzuar si të arrijë deri në Siri.

    “Kam rënë në kontakt përmes një profili në Facebook më një shqiptar dhe ai më ka thënë se mund të shkoja. Ai thjesht e ka pasur një grup në Facebook, thirrke njerëzit në mënyrë humane për të ndihmuar, qoftë me para ose veshmbathje…”.

    “E pyeta a mund të bëj diçka më shumë nëse vij atje, dhe ai më tha se do të ‘bëjmë diçka që t’i të vijsh’ dhe më vonë më lajmëroi se unë mund të shkoja”, shpjegon ky i ri, të cilin për këtë rrëfim po e quajmë me emrin “Arben”.

    Emri i tij i vërtetë është i njohur për redaksinë.

    “Kur filloi pranvera arabe, dëshiroja t’u ndihmoja njerëzve në Siri. E kam përjetuar luftën si fëmijë në Kosovë dhe ofensivat e tmerrit dhe kam dashur t’ju ndihmojë atyre fëmijëve të vegjël, familjeve, në mënyrë humanitare, së paku kam dashur të jem prezent aty, nëse dikush ka humbur familje ta ndihmoj”, shprehet ai.

    Si praktikues i fesë thotë të ketë shkuar në xhami për të kryer ritet fetare, por që nuk ishte i rregullt, pasi që punonte në një “Internet Caffe”dhe nuk kishte kohë të mjaftueshme.

    “Unë jam nisur në maj të vitit 2013, jam nisur vetë prej aeroportit të Prishtinës, biletën e kam blerë në aeroport për në Turqi; kam ateruar në aeroportin e Stambollit, aty ka dalë ai shqiptari me të cilin kam biseduar në Facebook dhe më ka pritur”, thotë “Arbeni”.

    Bashkë kalojnë kufirin turko-sirian dhe vendoset në Alepo, te disa qendra ku ishin vendosur, siç thotë, njësitet e Ushtrisë së Lirë Siriane. Kjo ushtri sot njihet si opozitë e moderuar në Siri.

    “Në atë kohë nuk ka pasur ISIS [Shtet Islamik], në atë kohë ka qenë vetëm Ushtria e Lirë Siriane, në opozitë nuk ka pasur grupe, ndoshta ka qenë ndonjë grup, por kanë qenë të vogla ose kanë qenë duke u formuar. Në atë rrethinë ku kam qenë unë nuk kam dëgjuar ndonjë gjë të tillë”, thotë ai.

    Për Alepon thotë të ketë qenë një vend shumë i mirë, para se të nisnin luftimet e ashpra.

    “Ka qenë një villë e madhe, diku 60 veta kemi qenë në një shtëpi, në një dhomë kemi qëndruar deri në 10 veta. Kemi qëndruar të gjithë bashkë, ka pasur sirianë dhe njerëz të vendeve të tjera”.

    Në javën e parë më kanë lënë vetëm të pushoj, nuk kam pasur ndonjë aktivitet, mandej kemi filluar të rregullojmë kampet e refugjatëve, shkollat, të bëjmë pastrime”, thotë ai.

    “Me pas filluam të përgatitemi me ushtrime çdo mëngjes, jemi përgatitur edhe për ndihma humanitare, edhe përgatitje ushtarake. Ne jemi ushtruar për të shtënë Kallashnjikovë A47;unë kam marrë pjesë në ushtrime, por në luftë nuk më ka ra të shkoj”.

    “Ata të tjerët kanë marrë pjesë në luftime. Derisa kam qenë i ri [në përvojë], pra deri në një kohë nuk të lenë të shkosh në front, kanë bërë luftime të ashpra, ka pasur bombardime ose kamikazë nëpër shkolla dhe xhami”, shpjegon “Arbeni”.

    Më vonë thotë ta ketë kuptuar krijimin e grupit Al-Nusra, në kuadër të Ushtrisë së Lirë Siriane.

    “Ai shqiptari [kontakti për rekrutim] më shpjegoi se nga opozita është ndarë një grup, i cili vinte nga Iraku dhe Afganistani. Filluan konfrontimet mes grupacioneve”, thotë ai./REL


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark