Pasuri dhe simbol i Liverpoolit, por në përfundim të kontratës.
Mohamed Salah është duke i kaluar muajt e fundit të marrëveshjes me “Reds” dhe në fund të qershorit do të bëhet lojtar i lirë.
Mundësitë që ylli egjiptian të largohet nga “Anfield Road” po rriten çdo ditë pasi nuk ka asgjë konkrete sa i përket kontratës së re eventuale, shkruan “Gazeta Express”.
Rroga aktuale prej 21 milionë eurosh në vit po i frenon klubet tjera evropiane të tentojnë ta transferojnë ish-futbollistin e Baselit, Chelseat, Fiorentinës e Romës, duke e pasur parasysh se s’kanë mundësi ta paguajnë atë.
Mirëpo, është një vend i cili mund t’i përmbush apetitet e futbollistit aziatik.
Mediumi britanik “Daily Mail” raporton se interesim për Salah kanë shfaqur nga Arabia Saudite.
Sulmuesi i rrezikshëm mund t’ju bashkohet në Saudi Pro League yjeve të kalibrit të Cristiano Ronaldos, Sadio Manés, Karim Benzemas e Riyad Mahrezit.
Oferta është jashtëzakonisht joshëse: 77 milionë euro për dy vjet kontratë për një futbollist që është 32 vjeç, ndonëse e ka arritur kulmin e karrierës në këtë sezon me 21 gola e 17 asistime në 29 ndeshje të zhvilluara.
Klubi më i interesuar për Salah është Al Hilal, i cili e sheh atë si zëvendësues adekuat të Neymarit, i cili pritet ta vazhdojë karrierën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.