Edhe nëntë biznese private kanë nënshkruar kontrata me Komunën e Mitrovicës për shfrytëzimin e 5.40 hektarëve tokë në Parkun Industrial në Frashër, Zona e Lirë Ekonomike, për 99 vjet. Vlera e investimeve është 8.5 milionë euro, ndërsa pritet të punësohen 432 punëtorë
Janë edhe nëntë biznese private, përfituese të tokës falas në Parkun Industrial në Frashër, Zona e Lirë Ekonomike e Mitrovicës, që të premten i kanë nënshkruar kontratat me Komunën e Mitrovicës për shfrytëzim në periudhën kohore prej 99 vjetësh.
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, pasi i ka përgëzuar përfituesit e tokës për zhvillimin e veprimtarive të tyre biznesore, ka përsëritur se Komuna është duke bërë shumë që të krijojë kushte sa më të mira për investime në projekte të ndryshme që ndihmojnë zhvillimin ekonomik të komunës dhe hapjen e vendeve të reja të punës, shkruan gazeta ‘Zeri’.
“Unë dua të shpreh kënaqësinë time me këtë rast pasi që kjo është një ditë e mirë dhe e mbarë për komunën dhe qytetarët e saj, të cilët janë shumë të interesuar që në qytetin e tyre të ketë zhvillim ekonomik, punësim, zvogëlim të problemeve sociale dhe të tjera. Njëkohësisht, dua që në emër të qytetarëve dhe në emrin tim t’ju falënderoj për vendimin tuaj që të investoni në projektet për të mirën e qytetit dhe të qytetarëve”, tha kryetari Bahtiri.