
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndërmarrë masa të ashpra ndaj operatorëve ekonomikë që importojnë kafshë të gjalla për therje, pas zbulimit të mospërputhjeve në të dhënat e raportuara në sistemin elektronik të kontrollit FCMS.
Në mesin e kompanive që iu është pezulluar leja për importin e kafshëve të gjalla është edhe kompania “Darisi Group”, me seli në fshatin Llugë të Komunës së Podujevës, me përgjegjës Berat Konushevcin.
Sipas vendimit të siguruar nga Gazeta Insajderi përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, pezullimi është bërë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe udhëzimet administrative për kontrollin e importit të kafshëve, pas konstatimit të shkeljeve nga ana e operatorit ekonomik.
Raporti i Inspektoratit Veterinar, i lëshuar më 4 prill 2025, tregon se gjatë periudhës tetor 2024 – mars 2025, kompania ka importuar dy dërgesa me gjithsej 94 krerë gjedhe për therje.
Sipas rregullores, të gjitha kafshët duhet të raportohen si të therura brenda 72 orëve në një thertore të licencuar, por asnjë prej këtyre kafshëve nuk është raportuar në sistem si e therur.
Në sistemin elektronik FCMS rezulton se janë raportuar zero gjedhe të therura, ndërkohë që të gjitha 94 krerët janë të paregjistruara.
Si rrjedhojë, regjistrimi për importin e gjedheve të gjalla nga kjo kompani është pezulluar menjëherë në sistemin elektronik TRACES, duke e ndaluar aktivitetin deri në një vendim tjetër.
Vendimi është nënshkruar nga drejtori ekzekutiv i AUV-së, Bekim Hoxha.
Ankesa e “Darisi Group” ndaj AUV-it
Pas këtij vendimi, kompania “Darisi Group”, ka paraqitur ankesë pranë Komisionit të Ankesave të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, duke kundërshtuar pezullimin e lejes për import të kafshëve të gjalla për therje.
Në ankesën zyrtare, kompania argumenton se pezullimi është bërë me arsyetimin se nuk janë respektuar kushtet e lejes, por sipas saj, të gjitha procedurat ligjore për import janë ndjekur në përpikëri.
“Kemi respektuar të gjitha procedurat ligjore të importit të kafshëve të gjalla. Kafshët janë të gjurmueshme, të pajisura me dokumentacionin përkatës veterinar dhe të përfshira në sistemin e faturimit,” thuhet në ankesë.
Sipas kompanisë, importi i datës 07.03.2025, që përfshinte 54 krerë, është shitur me faturë te persona fizikë, brenda afatit dhe në përputhje me rregullat ligjore. Ndërsa importi i datës 26.03.2025 ka qenë stok momental, i regjistruar dhe i dokumentuar në pritje të shitjes ose therjes.
Kompania gjithashtu ka bërë të ditur se nuk ka qenë më herët e aktivizuar në sistemin TRACES të Komisionit Evropian për sigurinë ushqimore, për shkak se nuk kishte realizuar më parë ngarkesa të kafshëve të gjalla nga vendet e Bashkimit Evropian.
Gazeta Insajderi ka tentuar të marrë një përgjigje shtesë nga kompania pas parashtrimit të ankesës, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, kompania nuk është përgjigjur.
/Insajderi