×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Korona dhe virusi

    Insajderi
    29 July 2020 - 09:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    COVID-19 tregon se sa të pafuqishëm jemi si shoqëri të gjithë në Ballkan. Nëpër botë efektet do të jenë shëndetësore dhe aty këtu ekonomike. Ballkani është pjesë e globalizmit, përveç se nuk i ka kushtet me qenë kaq injorancë e madhe sa po e mbizotëron opinionin dhe korona ka nxjerrë në sipërfaqe mbeturinat e fshehura në thellësi. Nuk ka shoqëri pa sistem dhe pa vlera. Dikur megjithatë ndodhin vërshimet

    Kështu tash të gjithë jemi bërë njësoj. Njerëz dhe shifra. Kur del jashtë dhe takohesh me njerëz ua ke frikën si në kohë lufte. Sa të gjejmë formën e saktë të përshëndetjes, bërrylin, grushtin apo edhe shtrëngimin e duarve. Ata që nuk kanë maska dhe të afrohen duke folur, rri duke bërë hapa mbrapsht në mënyrë që të ruhet distanca. Por, ka të tillë që insistojnë dhe te ndjekin me hapa drejt teje pasi e kanë merak bisedën sy më sy. Nxjerr lehtësisht si pistoletën nga xhepi i pasëm një duzinë dezinfektuesish që të vrasë edhe bisedat edhe virusin mundësisht. Covidi e ka kapluar gjithandej rruzullin dhe tash jemi një, na dallojnë vetëm maskat dhe vetitë e reja.

    Para pak dite më morën disa njerëz të i ndihmoja në spital të Beogradit. Aq sa ai që më ndihmonte ti sistemoja po me thoshte se njeri është më mirë. Mendova sa shpejt. E në fund e kuptova që e ka fjalën për një tjetër të para një jave. Të gjithë këta shqiptar. Me vonë me mori një televizion serb që ta komentojmë Dua Lipën. Nuk isha në ngjarje dhe e mora vesh më vonë që e kishte fjalën për postimin e parë të saj me flamurin e Ballistit. Nuk shkova. Ishte vapë dhe po flisja shqip me një grup tjetër që kishin hallë me një pacient që i duhej ujë në spital. Vizitat ishin ndaluar. U ktheva në shtëpi edhe bëra një kronikë krejt temë tjetër për një reagim politik mbi ngjarjet në Bruksel. Fushatë e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Shumë lajme të ndryshme, pa shumë temë.

    Zakonisht në këtë kohë do të isha diku për pushime, ku njësoj nuk do të dallonim, përveçse këtu nuk do të bëhej më fjalë për maska, por për rroba banjo, me shumë ngjyra, dhe do të na dallonin madhësitë e stomakut dhe syzat. Prapë disa ditë më vonë pak a shumë e njëjta procedurë: më merr dikush në telefon për spital, ekzekutoj disa kafe shpejt e shpejt, bëjë një lajm tjetër politik, dikush mi çon tre gishtat e fotos të deleguarit të Beogradit në Bruksel, Marko Gjuriq, me fton dikush të flas për hajvarin e Dua Lipës, ndjek debatet rreth Xhamisë në Prishtinë, lajmet në Tiranë dhe protestat kundër ndalimit të muzikës dhe dikush me tregon se ia kishin vjedhë një biçikletë dhe përkundër se e kishin kap kamerat e sigurisë, por policia nuk kishte kohë ta gjente. Bëjë një kronikë për Preshevën dhe Bujanocin se si atje pasi nuk pati raste asnjë, tani të dyja qytetet, pa një spital tamam u futën në gjendje të jashtëzakonshme. Përveç COVID-it, këtu nuk ka diasporë dhe qytetet duken të zbrazëta. Nëse nuk ka diasporë, i vetmi qarkullim janë kafet e lira dhe aty këtu ndonjë ushqim. Ata që kanë shpresuar të fitojnë duhet të presin deri vitin e ardhshëm. Krejt këto të shoqëruara me një turmë analfabetësh në komentet në rrjetet sociale që japin mendim për gjithçka, e që shpesh duken të shkruara në atë formë aq sa kërkon ekspert kriptologjie që të lexohen. Por, mendojnë se kanë të drejtë.

    Ballkani është përfshirë në lëvizjet globale të relativizimit të gjërave ngjashëm më tërë botën e zhvilluar, komentet për rrjetin “5G” që konsiderohet se të krijon virus, vaksinat për çdo gjë dhe për koronën që mund të fusin në trup mikroçipe për të kontrolluar njerëzit, inekzistencën e virusit, linçimin publik të atyre që kanë frikë, mohimin e të vërtetës si mjet për të zëvendësuar faktet. Ndonëse, në disa shoqëri këto janë të mundshme pasi kanë shtete me sistem dhe budallallëku nuk ndikon aq shumë në mirëqenie aq sa në Ballkan ku ende është ndërtuar vetëm kati i parë i shoqërive. COVID-i po shpërfaqë mangësi shoqërore në vendet e treta, të cilat vetën megjithatë e konsiderojnë si në top listat e shoqërive të zhvilluara. Kështu dikur kur protestoja në një redaksi që një pjesë e gazetarëve dhe shefave bënin kompromis duke e ditur që kjo ia heq vegëzën lëmshit të madh dhe e shkatërron sistemin, një nga ta më thoshte “hajt se pak nuk ka dert”. Tash, këta po thonë qe neve nuk na kap dhe për çdo gjë kanë një baraspeshim, por jo një kundër-fakt. Dhe, duket se virus më i madh është rrëmuja dhe mungesa e dijes dh edukatës së përgjithshme.

    Shkrimtari malazezë dhe miku, Andrej Nikolaidis nga Ulqini, ka shkruar një libër që në oirgjinal quhet “Odlaganje. Parezija”- shqip “Shtyrja. Pareza”. Fjalori shqip nuk e njihte shumë fjalën parezë si kuptim, por që kjo rrjedh nga etimologjia greke parresia, që nënkupton një mënyrë specifike të të folurit të vërtetës dhe që krijon një formë sikleti tek tjetri, por që mbi të gjitha në fjalorët tjerë thotë se pareza bartë në vete një rrezik të caktuar e deri tek jeta e tij, por ai që e flet është i vetëdijshëm për këtë. Pra pak a shumë nënkupton “çiltërsi”, “siguri”, “guxim”, “liri të foluri”, “qartësi të foluri”. Arsyeja përse mu kujtua ky roman këto ditë është se Nikolaidis në mënyrë fenomenale i përshkruan fenomenet e injorancës politike dhe publike mbi një lloj linçi, duke ngatërruar realitetin me trillimin letrarë, të një analogjie që në asnjë mënyrë nuk zgjidhet.

    Një personifikim i atyre që janë në pozita të tilla, detyra e të cilëve nuk toleron shtyrjen e të vërtetës dhe reagimit dhe vonesës në qëndrime. Dhe, mbi të gjitha një dëshmi që gjërat e pa zgjidhura gjithmonë kthehen, duke theksuar një ndërgjegje të papastër nga e shkuara që gjithmonë eksplodon në të tashmen. Proza e Nikolaidis ndahet në kapituj ku ai shkruan për një grua që ishulli vendos ta djeg si shtrigë dhe ndërhyrjes ditore që i bënë politika në zhvillim dhe të dyja rrëfimet funksionojnë në një. Një roman që përzihet me ngjarje ditore. Dhe, një prifti nga Kotori që gjendet para aktit të kryer. Natyrisht, në tërë Ballkanin realiteti është i përzier me të gjitha këto elemente mosguximi, gjetje të përkohshme të fasadimit publik, “kapigjikut” të zhvillimit të njerëzve që vazhdimisht “sistemohen”, por asnjëherë nuk bëhen siç duhet, me themel. COVID-19 do të ketë pasoja shumë, por ndoshta edhe pse duket e parëndësishme, bota megjithatë nuk funksionon mirë me sisteme të rrejshme dhe vlera të zhvlerësuara. Ashtu siç nuk luftohet epidemia “me mik” dhe nuk ndërtohen shoqëritë me konfuzitet.

     

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark