×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Lufta me bombola kundër pandemisë

    Insajderi
    29 July 2020 - 18:16

    Politikanët në 20 vjetët e fundit kanë ndërtuar sistemet e klimatizimit në zyret e tyre, por nuk kanë menduar kurrë për sistemin e oksigjenit në spitale. Sot duhet të kujdesemi për veten, të mbajmë maskën, distancën e higjienën dhe të mos bëhemi për bombolë.

    Numri i madh i pacientëve ka shkaktuar kërkesa enorme për oksigjen në QKUK dhe spitale rajonale. Janë mbi 600 pacientë të hospitalizuar me koronavirus dhe rreth 400 prej tyre po trajtohen me oksigjen për shkak se sëmundja Covid-19 ua ka bllokuar mushkëritë.

    Shumica e spitaleve dhe klinikave publike të Kosovës nuk kanë sistem qendror të oksigjenit. Derisa në vendet normale, e madje edhe në Shqipëri kanë ndërtuar sistemet qendrore në spitale, shëndetësia në Kosovë ende funksionon e madje po e lufton pandeminë me bombola.

    Deri më tani vetëm në QKUK ka sistem qendror, i cili madje është funksional vetëm pjesërisht. E para, sepse nuk është i instaluar në të gjitha klinikat; e dyta, edhe atje ku është i instaluar nuk e përballon ngarkesën me kapacitet të plotë.

    Politikanët në 20 vjetët e fundit janë kujdesur që të ndërtojnë sisteme klimatizimi me teknologji të fundit në ndërtesat qeveritare, por nuk janë kujdesur asnjëherë të ndërtojnë sistemin e oksigjenit në spitale.

    Menaxherët e klinikave dhe spitaleve rajonale janë nën ethe prej fundit të qershorit nga frika se çdo ditë mund të mbesin pa oksigjen. Në këto spitale para pandemisë janë shpenzuar rreth 20 bombola brenda ditës, ndërsa tani kërkohen rreth 100 sosh. E SHSKUK arrin t’i furnizoj vetëm gjysmën e tyre.

    “Vetëm deri në ora 17:00 kemi oksigjen. Pastaj nuk e di çka do të ndodh”, tha sot drejtori i spitalit të Vushtrrisë i cili është shndërruar në Covid. Njëjtë është në të gjitha spitalet rajonale dhe klinika. “Uhhh” ofshajnë drejtorat e spitaleve ku pyeten për oksigjenin. “Me shumë vështirësi Bujar”. Përkundër kërkesave, presionit, angazhimit të stafit, oksigjeni nuk mund të sigurohet sepse s’ka.

    SHSKUK ka një kontratë 2 vjeçare e cila ka filluar në mars dhe sasia e planifikuar mund të përfundoj në tetor. Pronari i kompanisë tha se kërkesat janë 8 fish më shumë sesa është planifikuar. Tani është nënshkruar edhe një kontratë emergjente për 3 muaj.

    Në krejt këtë mes mund të gjendemi secili prej neve. Mund të vijmë në situatën kur do të kemi nevojë për një bombolë me oksigjen, por spitali nuk mund ta sigurojë. Prandaj vendose maskën, mbaje distancën dhe higjienën. Mos u bë për bombolë, mos e ngarko spitalin.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark