
Qeveria e Kosovës ka reaguar të shtunën pas lajmit se është sulmuar me koktej molotovi ndërtesa ku ndodhen zyrat e Presidencës së Kosovës.
Sipas qeverisë, ky është një akt kriminal që cenon rendin kushtetues të vendit.
“Aktet e tilla, Qeveria e Kosovës i konsideron të rrezikshme për rendin kushtetues dhe për stabilitetin e vendit, prandaj kërkon me ngulm që ato të zbardhen dhe kryesit të përgjigjen para ligjit”, thuhet në reagimin e Qeverisë.
“Qeveria e Kosovës fton të gjithë përfaqësuesit politik, të cilët duke u bazuar në kauza jo të qëndrueshme, kanë nxitur dhe promovuar futjen e gjuhës së molotovit dhe mjeteve tjera joligjore në jetën politike dhe publike në Kosovë, që të distancohen nga këto akte dhe të bëhen pjesë e përpjekjeve të qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik, integrime euroatlantike dhe fuqizim të partneritetit strategjik me SHBA-të dhe vendet tjera mike.”
Sot në orët e hershme të mëngjesit, disa persona kanë thyer xhamat dhe më pastaj kanë hedhur molotov në drejtim të njerës prej zyrave të presidencës./Insajderi.com