×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Ku është deti?

    Insajderi
    04 August 2020 - 13:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Turizmi në shumë vende ka bllokuar mundësitë tradicionale të turizmit dhe tani kërkohet alternative. Shumë kanë zbuluar vendlindjet e tyre sikur të mos kishin qenë aty ndonjëherë, ndonëse kanë kaluar një jetë. Kështu për serbët mundësia e vetme pa test është Shqipëria. Si e bëri COVID-i Shqipërinë destinacion turistik për serbët?

    Një nga fqinjët e mi mendonte se me origjinë jam nga Shqipëria. Ai është biker apo fans i motoçikletave. Serbët shpesh kur flitet për shqiptarët mendojnë Shqipëri, madje një pjesë e madhe e tyre kurrë nuk kanë qenë as në Kosovë dhe shpesh nuk dinë të ndajnë qytetet çfarë është tani Kosovë dhe cfarë është Shqipëri. Fqinji im serb thotë se ka qenë për të bërë një udhëtim me motoçikletën e tij nga Plava e Gusia përmes Shkodrës, deri në jugun e Shqipërisë. “Një nga rrugët më të bukura”, thotë ai dhe bëjmë pak bisedë të lirë lidhur me mundësitë e serishme të udhëtimit. Serbët dhe malazezët politikisht nuk janë në marrëdhënie të mira dhe për të shkuar përmes Malit të Zi duhet testi, ashtu edhe kufijtë drejt Shkupit janë të dyshimtë. Serbëve u është mbyllur destinacioni më i rëndësishëm i turizmit- Greqia. Dhe, të pakët janë ata që kanë arritur të jenë atje përmes valës së parë të turistëve. Disa thonë se mund të shkohet përmes Bullgarisë, por as tani nuk ka informata të sakta. Kështu informacionet u shtrinë shpejt nëpër Serbi se i vetmi vend është Shqipëria.

    Por, si në politikë ashtu edhe në bregdet për serbët rruga drejt Shqipërisë kalon përmes Kosovës dhe kjo është e pashmangshme. Shpejt u shtri edhe një informacion i ri se tani Kosova kërkonte teste në bazë të reciprocitetit me shtetet e rajonit, ku ishte përmendur edhe Serbia dhe madje edhe Shqipëria, ndonëse kjo gjë nuk ishte e saktë, pasi në reciprocitet Serbia pak a shumë ka vendosur të mos përdorë testet për tu futur në këtë vend për dy arsye, një pasi nuk dëshiron të thotë se gjendja është jashtë kontrollit dhe dy pasi ka protestuar disa herë kundër mbylljes hermetike të shtetit pas rihapjes së kufijve. Kjo frikësoj shumë serb! Këtu u bënë dhjetëra njerëz që më telefonojnë për idenë e turizmit në Shqipëri dhe për tu interesuar se si mund të udhëtohet në drejtim të Kosovës. Këtu për serbët situata bëhet më e dyshimtë pasi Kosova për ta është një zonë e panjohur, pavarësisht se shumë prej tyre do të donin ta shihnin se si duket Prishtina apo qytetet e tjera. Në këtë pjesë ka shumë që shkojnë, por që gjithçka zhvillohet jashtë kontekstit të organizuar, pra agjencitë turistike nuk e ofrojnë as Kosovën dhe as Shqipërinë si destinacion në Serbi dhe në disa vende të rajonit. Këtë vit në top destinacione është edhe Bosnja e Hercegovina për serbët me dhjetëra kilometra bregdet që i kanë takuar në Neum që megjithatë e bënë Bosnjën me dalje në bregdetin Adriatik.

    Aty ka eskaluar situata për nga numri i atyre që e vizitojnë, por ato pak kilometra nuk janë të mjaftueshme që të zënë peshqirët e të gjithë atyre që kanë vapë dhe nuk mund të shkojnë në asnjë vend. Kështu ata që kanë shkuar në bregdetin e Malit të Zi dhe janë mërzitur me turizmin atje, por edhe në Greqi dhe vende të tjera si Kroacia, këtë vit entuziastët i pret vetëm Shqipëria dhe asnjë vend tjetër nuk është lehtësisht i kalueshëm. Por, ngelet frika dhe e panjohura për shumicën pasi duhet të bëjnë dy gjëra, përveç përgatitjes së valixhes, të përgatiten për të tejkaluar frikën e udhëtimit nëpër Kosovë dhe për të qenë të qetë në plazhet ku shumica megjithatë flasin shqip. Shumica thonë se është bukur dhe disa dhjetëra mijëra serb që kanë shkuar në Shqipëri që vitin e kaluar e kanë bërë punën e vet të promovimit të turizmit përmes gojëdhënave. Natyrisht, në shtypin serb nuk promovohet shumë Shqipëria dhe as Kosova jashtë kontekstit politik të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe dialogut të gjatë për të gjetur një zgjidhje politike për normalizimin e marrëdhënieve. Por, për njerëzit e thjesht, pavarësisht se ata nuk janë shumicë, këta kufij nuk janë aq të pathyeshëm sidomos kur bëhet fjalë për një vapë të jashtëzakonshme që ka kapluar gjithë Evropën Juglindore këto ditë. “Nëse plazhet janë të bukura siç flitet dhe mikpritja e tyre është siç duhet, atëherë R.I.P turizmi tek vëllezërit e Malit të Zi”, shkruan një serb që e kam mik në jetë reale dhe në facebook.

    Një agjenci turistike serbe shumë shpejt ka gjetur lidhjet për të ndryshuar destinacionin e turistëve me autobus përmes Kosovës për shkak se kjo nuk ka qenë e mundur . Kryesisht ata reklamojnë Durrësin, Ksamilin dhe Sarandën. Shpejt kanë mbirë edhe disa shkrime promovuese për Shqipërinë në mediat serbe dhe sqarimet e rrugës së Shqipërisë. Në disa panaire të fundit të turizmit në Serbi kanë marrë pjesë pak tur-operatorë nga Shqipëria dhe në të fundit asnjë. Shteti nuk ka promovuar shumë turizmin shqiptarë në rajon. Por, vapa e dyfishtë që ka krijuar COVID-19 duket se nuk njeh kufij, as të Kosovës dhe as të Shqipërisë. Thjesht, njerëzit pyesin ku është deti?

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark