
Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar sot disa të dhëna rreth njehsorëve elektrik, që sipas tyre janë shfrytëzuar për përfitim financiar në dëm të qytetarëve të vendit.
Naim Hoxha, kryesues i komitetit për energji elektrikë në Vetëvendosje, ka thënë se rreth 200 mijë njehsorë janë ndërruar pa pasur nevojë vetëm për arsye të fitimit financiar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe KEDS-i.
“Prej 400 ose 500 mije njehsorëve, 200 mijë te tilla janë ndërruar pa pasur nevojë dhe e gjitha kjo është bërë për arsye fitimprurëse nga zyrtaret e KEDS-it dhe ministria”, ka thënë ai gjatë konferencës për media të thirrur lidhur me këtë çështje.
Sipas tij, vërejtje ndaj këtyre njehsorëve nuk kanë pasur vetëm qytetarët, por edhe vetë punëtorët e KEDS-it.
Por, siç thotë Hoxha, kjo ankesë atyre u ka kushtuar atyre me humbjen e vendit të punës.
“Ky ka qenë një tregtim i pakontrolluar dhe janë blerë pajisje të dyshimta me karakteristika jo adekuate”.
Ai ka përmendur edhe faktin se vetë ministria i kishte dërguar këta njehsorë për t’i kontrolluar në Holandë dhe janë kthyer me përgjigje se këta njësorë nuk janë në rregull dhe se nuk duhet vendosur.
Në anën tjetër, Besnik Bislimi, anëtar i Këshillit Drejtues të Vetëvendosjes, ka thënë se shumë nga qytetarët të cilët përdorin këta njehsorë elektrikë paguajnë me shume për energji elektrike sesa për nevoja tjera thelbësore”.
Çështja e njehsorëve elektrikë është ngritur disa herë edhe nga organizata të shoqërisë civile.
Përveç Vetëvendosjes, edhe partia tjetër opozitare, Nisma për Kosovën, ka paralajmëruar që sot do të publikojë sic kanë thënë, një skandal të Qeverisë së Kosovës./Insajderi.com