
Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi” është e nderuar që në në mesin e shkrimtarëve pjesëmarrës, të cilët do të lexojnë dhe do t’ju lexohet proza e tyre artistike në FICTION FEST është edhe shkrimtari shqiptar, Durim Taçi.
Durim Taçi (1964) studioi filologji e kinematografi në Tiranë dhe filozofi në Milano, përkthyes i mbi pesëdhjetë titujve letrarë, autor i librave të shumtë të botuar në Shqipëri. Ka bërë debutimin e tij në narrativën italiane me romanin Codice Kanun (Edizioni dEste, Milano 2016), nderuar me çmimin ‘Montefiore’ për merita të veçanta artistike. Më pas botoi Extra Time, vetja jote e dytë, (Botimet Fishta, Tiranë 2019 dhe Mimesis Edizioni, Milano 2020), një tekst “mitobiografik”, i frymëzuar nga idetë e shkollës milaneze Philo – Praktika Filozofike, të cilën e ka frekuentuar. Një prani në ikje, në proces botimi,është romani i tij më i fundit, i shkruar po në dy gjuhë, italisht e shqip. Ka lënë Shqipërinë në vitin 2000 dhe jeton në Bergamo.
Qendra për Kulturë dhe Edukim “SHESHI”, me datat 08 dhe 09 tetor, 2020, organizon edicionin e tretë të Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST”
Në këtë edicion jemi me fat që do ta dëgjojmë dhe do ta shijojmë prozën artistike nga shkrimtarë të vlershëm shqiptarë dhe të huaj, si Adem Gashi (Kosovë), Matthias Nawrat (Gjermani), Amer Tikvesha (Bosnja), Ardian Haxhaj (Kosovë), Stefan Çapaliku (Shqipëri), Bardh Rugova (Kosovë), Durim Taçi (Shqipëri), Sandra Gogiç (Austri), Liridon Mulaj (Shqipëri), Milica Vuçkoviq (Serbia), Nava Ebrahimi (Gjermani) dhe Shpresa Qeriqi (Kosovë).
Edicioni i tretë i Festivalit të Prozës Artistike do t’i dy mbrëmje leximi dhe një takim letrar me shkrimtarin dhe prozatorin e njohur shqiptar, Virion Graçin. Kështu që, në mbrëmjen e parë do të lexojnë dhe do të lexohen tregime e fragmente nga romanet dhe proza artistike e këtyre shkrimtarëve: Adem Gashi, Amer Tikvesha, Bardh Rugova, Durim Taçi, Sandra Gogiç dhe Milica Vuçkoviq. Mbrëmja e parë do të mbahet më datën 08 tetor, 2020, ora 18:00, në restorant “Amaro”, rr. Eqrem Çabej (përballë Fakultetit të Filologjisë-UP), Prishtinë.
Në mbrëmjen e dytë do të lexojnë dhe do të lexohen tregime e fragmente nga romanet dhe proza artistike e këtyre shkrimtarëve: Ardian Haxhaj, Stefan Çapaliku, Matthias Nawrat, Nava Ebrahimi, Liridon Mulaj dhe Shpresa Qeriqi. Mbrëmja e dytë do të mbahet më datën 09 tetor, 2020, ora 18:00, në restorant “Amaro”, rr. Eqrem Çabej (përballë Fakultetit të Filologjisë-UP), Prishtinë.
Gjithashtu, Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi” është e nderuar që do të ketë rastin ta organizojë takimin letrar me shkrimtarin dhe njërin nga prozatorët më të rëndësishëm të letërsisë së sotme shqipe, të nderuarin Virion Graçi. Për veprën e këtij autori, me fokusim të veçantë te dy romanet e tij të fundit (“Pëllumbat i vrasin natën” dhe “Dead end”), do të flasin shkrimtarët e njohur shqiptarë Sali Bashota dhe Gëzim Aliu. Ky takim do të mbahet më datën 09 tetor, 2020, ora 12:00, në restorant “Amaro”, rr. Eqrem Çabej (përballë Fakultetit të Filologjisë-UP), Prishtinë.
Edicioni i tretë i Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST” u mbështet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Drejtoria për Kulturë në Komunën e Prishtinës dhe Goethe Institute. Andaj, Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi”, si organizatore e këtij festivali i falenderon përzemërsisht ndihmëtarët e sipërpërmendur.
Partner kryesor medial i edicionit të tretë është Gazeta online “Insajderi”, ndërsa partnerë mbështetës medialë janë portali për kulturë “ObserverKult” dhe revista për letërsi, kulturë, gjuhë dhe medie “Akademia”.