×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Zgjedhjet Presidenciale në SHBA dhe fokusimi i publikut

    Insajderi
    08 October 2020 - 11:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Subhi JAKUPI

    SHBA kanë popullatë prej 328 milionë njerëz, nga ato paraqiten për të votuar (votim aktiv) për zgjedhjet që vijojnë rreth 153 milionë votues, të njëjtët mund të votojnë në qendra votimi ose shfrytëzimin e të drejtës votim me postë. Zgjedhjet presidenciale mbahen çdo 4 vjet dhe vlen të theksohet se të drejtë rizgjedhje kandidati ka të drejtë vetëm edhe një mandat

    Kur organizohen zgjedhjet Presidenciale në SHBA, ato nuk janë vetëm në fokus të publikut në vend por në të gjithë botën, prandaj interesimi është i madh se çfarë rregullative zgjedhore zbatohet dhe a ka të bëjë me rregullativë zgjedhore të thjeshtë në zbatim apo të njëjtat nuk janë edhe aq të qarta dhe të kuptueshme për qytetarët që votojnë në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

    Duke filluar nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së SHBA-së në vitin 1788 e deri tani në karrigen presidenciale janë ulur 45 presidentë, i pari ka qenë Xhorxh Uashington, ndërsa i tanishmi është Donald Trump. Të drejtë të qenurit kandidat për president të SHBA-së kanë vetëm qytetarët të lindur në SHBA dhe shtetas të SHBA-së, banorë i të njëjtës 14 vjet pa ndërprerë dhe me moshë mbi 35 vjeç, të gjitha këto kushte janë të parapara me Kushtetutë, por ka edhe kushte tjera joformale për të qenë kandidat edhe atë:

    – kandidati të ketë arsimim të lartë,

    – të ketë mundësi të siguroje mjete financiare për kampanjën zgjedhore (përafërsisht kampanja zgjedhore mund të arrijë mbi 6 miliardë dollarë Amerikan);

    – të ketë pamje dhe autoritet, gjegjësisht rejtingu politik i tij të jetë relativisht i lartë si në mesin e bashkpartiakëve po ashtu edhe te popullata në përgjithësi.

    SHBA kanë popullatë prej 328 milionë njerëz, nga ato paraqiten për të votuar (votim aktiv) për zgjedhjet që vijojnë rreth 153 milionë votues, të njëjtët mund të votojnë në qendra votimi ose shfrytëzimin e të drejtës votim me postë. Zgjedhjet presidenciale mbahen çdo 4 vjet dhe vlen të theksohet se të drejtë rizgjedhje kandidati ka të drejtë vetëm edhe një mandat. Populli voton në secilën shtet dhe qarkun Kollumbia në ditën e martë të javës së parë të muajit Nëntor (në këto zgjedhje votohet më 3, Nëntor 2020). Ajo që duhet sqaruar si votohet për presidentin dhe nënpresidentin që zgjedhen nga sistemi i quajtur Kolegji Zgjedhor i SHBA-së (United States Electoral College), që është kolektiv i elektorëve – që gjithsejtë ka 538 elektorë. Së pari çdo parti politike nominon elektorë që janë të besuar partiak për çdo shtet në numër aq sa ka kongresmenë dhe senatorë ai shtet (psh, shteti Teksas ka 36 kongresmenë dhe 2 senatorë, atëherë partia politike në shtetin Teksas nominon 38 elektorë) për kandidatë dhe të njëjtit nuk mund të kandidohen kongresmenët dhe senatorët aktual. Ajo që është karakteristike në SHBA është ajo se partia politike që fiton shumicën e elektorëve në një shtet ajo i merr të gjithë elektorët (psh, shteti Teksas ka 38 elektorë dhe në qoftë se Partia Demokratike fiton 20 elektorë ndërsa Partia Republikane 18 elektorë atëherë partia fituese në këtë rast Partia Demokratike i fiton 38 elektorë, ose në këtë rast kemi të ndarë nga 19 elektorë secila parti atëherë partia që ka më shumë vota i fiton 38 elektorë) dhe kështu me radhë për secilën shtet.

    Elektorët e zgjedhur votojnë për president dhe nënpresident në ditën e hënë të javës së dytë të muajit dhjetor (14.12.2020) dhe të njëjtët votojnë në votim të fshehtë duke mos qenë të obliguar (të kushtëzuar) të votojnë për kandidatin e partisë së vetë por ato kanë të drejtën e përzgjedhjes sipas mendimit të lirë të tyre (e kushtëzuar). Listat nga votimi i elektorëve të mbyllura dhe të vulosura dërgohen në selinë e Senatit në adresë të kryetarit të Senatit dhe në prezencë të Senatit dhe Kongresit kryetari i Senatit i hap listat dhe numërohen votat e elektorëve në fillim të muajit janar të vitit (06.01.2021). Që të zgjidhet presidenti dhe nënpresidenti i SHBA-së është e nevojshme të fitojë më shumë se gjysma e elektorëve – gjegjësisht 270 vota të elektorëve nga gjithsejtë 538 elektorë të Kolegjit Zgjedhor (United States Electoral College). Ndërsa inaugurimi i Presidentit dhe nënpresidentit të shtetit bëhet ne muajin janar të vitit (20.01.2021).

    A ka anomali procesi zgjedhor në SHBA? Procedurat zgjedhore në çdo vend kanë specifikat e veta dhe sa do që vendi të jetë me ekonomi të zhvilluar, përsëri paraqiten anomali procedurale qoftë edhe një vend shumë i fuqishëm siç është SHBA. Gjendja rreth regjistrimit të votuesve është e papërcaktuar mirë në SHBA, nga një hulumtim të vitit 2012 – “Pew Research Center” zbuloi se diku rreth 24 milion të dhëna të votuesve nuk janë të sakta apo gjysëm të sakta, po ashtu janë gjetur të evidentuar si votues potencial diku rreth 1.8 milion që janë të “vdekur”. Në zgjedhjet presidenciale 2016 me postë kanë qenë të dërguara rreth 41 milion fletëvotime, nga ato rreth 568.000 fletëvotime nuk kanë qenë të procesuara, rreth 318.000 fletëvotime kanë qenë të refuzuara nga posta që nuk janë dërguar në adresë të saktë, ndërsa me status – “të panjohur” bëhet fjalë për rreth 6 milion fletëvotime.

    Përveç anomalive të lartshënuara vlen të theksohet edhe mënyra e përcaktimit të elektorëve që nga të njëjtit përcaktohet fituesi i zgjedhjeve edhe atë duke bërë një analizë të rezultateve të zgjedhjeve presidenciale 2016 kandidati i Partisë Demokratike – Hillari Klinton në shtetet Pensilvanija, Florida, Miçigen dhe Viskonsin fiton gjithsejtë 11.082.791 vota dhe nuk i takon asnjë elektorë, ndërsa nga ana tjetër kandidati i Partisë Republikane – Donald Trump fiton gjithsej 11.273.446 vota dhe i takojnë 75 elektorë, ndërsa diferenca në vota është në dobi të Donald Trump vetëm për 190.655 vota.

    Po ashtu të potencojmë edhe atë se nuk pasqyron lufta reale e votave në nivel të gjithë shteteve të SHBA-së, meqë kandidati i Partisë Demokratike – Hillari Klinton ka fituar gjithsej 65.853.516 vota, ndërsa kandidati i Partisë Republikane – Donald Trump ka fituar gjithsej 62.984.825 vota, ku diferenca në vota është për 2.868.691 vota në favor të Hillari Klinton, mirëpo prapë Donald Trump del fitues meqë në nivel të shteteve fiton më shumë elektorë dhe u bë Presidenti i 45 me radhë në SHBA.

    Për të gjithë këto të lartshënuara është hapur debat nga senatorë, kongresmenë dhe analist zgjedhor, por ndryshim të këtyre procedurave është shumë vështirë të bëhen meqë për të njëjtat kërkohet edhe ndryshime kushtetuese të SHBA-së.

    Për fund të potencojmë së nga anketat e fundit të qendrave hulumtuese-analitike që kanë shpallur procesi zgjedhor mund të shfaqë probleme në çështjen e votimit me postë, meqë pritshmëria e votimit me postë mund të jetë me numër të lartë për shkak të COVID-19 që votuesit mund t`i shmangen votimit tradicional në qendra të votimit, po ashtu nga anketat e shpallura vërehet një avantazh jo me diferencë të lartë në favor të kandidatit të Partisë Demokratike – Xho Bajden, por nga debati i fundit në TV ndërmjet dy kandidatëve nuk bënë ndonjë diferencë dhe fushata në vazhdim do të jetë shumë përcaktuese dhe e rëndësishme për dy kandidatët, njëkohësisht sa do të jenë përcaktuese edhe dy debatet e paraparë në TV në ditët në vijim të fushatës, që presim një rezultat shumë të balancuar që nuancat mund të jenë vendimtare në përcaktimin e fituesit për President të SHBA-së.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark