Lëvizja Vetëvendosje ka nënshkruar një marrëveshje koalicioni me Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për të qeverisur në Prishtinë.
Lajmi është konfirmuar nga Komuna e Prishtinës, që ka thënë se Shpend Ahmeti ka pritur sot një delegacion të AAK-së me të cilët ka bërë formalizimin dhe konkretizimin e marrëveshjes.
“Kryetari Ahmeti falënderoi AAK-në për mbështetjen e vazhdueshme që ka pasë nga Grupi i Asambleistëve të AAK-së pa asnjë kusht në Kuvendin Komunal. Ai tha se diskutimet kanë filluar para disa javësh dhe se ato janëzhvilluar edhe me subjekte të tjera politike, për ta krijuar shumicën e nevojshme në mënyrë që të zhbllokohet puna në Kuvendin Komunal dhe të arrihen synimet të cilat ia kemi vendos vetvetes, e ajo është reforma thelbësore dhe e plotë në Komunën e Prishtinës”, thuhet në komunikatën e Komunës së Prishtinës.
Grupi i Asambleistëve të AAK-së tani e tutje do të koordinohet me Grupin e Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, ndërkaq nga tani e tutje, AAK-ja merr në drejtim Drejtorinë e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, e cila deri më tash është udhëhequr nga Nënkryetari, Dardan Sejdiu, njofton komuna.
“Nga ana e tij, Kryetari i Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se me fitoren e Kryetarit Shpend Ahmeti AAK-ja ka marr vendim politik që ta përkrah këtë qeverisje dhe politikat e kryetarit Ahmeti pa kushte. Ai potencoi se tani është e nevojshme krijimi i një shumice dhe se janë të gatshëm për partneritet me qëllim që t’iu shërbejnë sa më mirë qytetarëve”./Insajderi.com